
Gjykata Penale e Shkupit ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Bujar Dardhishtës, ish-drejtor i Drejtorisë së Librave Amë dhe i punësuar në Elektro-Distribucionin e Maqedonisë së Veriut (EEM Distribuim). Vendimi përfshin edhe gjashtë persona të tjerë të arrestuar, të cilët, së bashku me Dardhishtën, janë dërguar në burgun e Shutkës.
Arrestimet u kryen pas një aksioni të gjerë policor të zhvilluar të mërkurën mbrëma në Shkup dhe Kumanovë, ku në shënjestër ishin disa të punësuar në EEM Distribuim.
Sipas autoriteteve, rasti lidhet me dyshime për veprimtari të një grupi të organizuar kriminal, i cili dyshohet se ka kryer vepra penale nga sfera e korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bënë të ditur se aksioni është realizuar nën drejtimin e një prokurori publik, me pjesëmarrjen e zyrtarëve policorë nga Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së, ndërsa aktivitetet janë zhvilluar në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë.
Detaje të tjera lidhur me rastin pritet të publikohen pas përfundimit të veprimeve hetimore në terren.



