
Një operacion i gjerë policor i zhvilluar gjatë natës në Shkup dhe Kumanovë ka rezultuar me arrestimin e ish-drejtorit dhe funksionarit të lartë të BDI-së, Bujar Dardhishta. Ai dyshohet për përfshirje në aktivitete të pastrimit të parave dhe krimit ekonomik.
Informacionet e para janë se aksioni është realizuar nga 17 në 18 dhjetor 2025 dhe ka përfshirë bastisje në disa lokacione. Gjatë operacionit janë ndaluar mbi dhjetë persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e një rrjeti më të gjerë kriminal financiar.
Operacioni është udhëhequr nga Njësia për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike, ndërsa veprimet janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për rastin, duke theksuar se hetimet janë në fazë aktive dhe se gjatë ditës pritet të ketë informacione më të plota për akuzat dhe masat e mëtejme procedurale.



