LokalXLajme

U largua vetë para se ta shkarkonin: kryeprokurori Kocevski jep dorëheqje

Kryeprokurori republikan, Lupço Kocevski, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i tij, vetëm pak para se Kuvendi të mbante seancën ku ishte paraparë votimi për shkarkimin e tij me propozim të Qeverisë.

Dorëheqjen e bëri publike në një konferencë për media në ambientet e Prokurorisë Publike, duke bërë të ditur se vendimi tashmë është dorëzuar edhe me shkrim në institucionet përkatëse.

“Po largohem me kokën lart, por edhe me një ndjenjë zhgënjimi për shkak të mosrespektimit të parimeve themelore mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës”, deklaroi Kocevski.

Procedura për shkarkimin e tij ishte hapur më 9 dhjetor në një mbledhje qeveritare, me arsyetimin se Kocevski kishte bërë lëshime serioze profesionale gjatë drejtimit të Prokurorisë Publike.

Sipas dokumenteve qeveritare, një nga pikat kyçe të kontestimit është “Udhëzimi i detyrueshëm” i miratuar më 30 qershor 2024, për të cilin thuhet se ka tejkaluar kompetencat e kryeprokurorit. Qeveria vlerëson se ky udhëzim ka cenuar autorizimet e prokurorëve më të lartë dhe ka shkelur parimet e hierarkisë, subordinimit dhe pavarësisë institucionale.

Po ashtu, Kocevskit i ngarkohet përgjegjësi edhe për nxjerrjen e informacioneve mbi lëndë gjyqësore nga Prokuroria Publike, pa u ndërmarrë masa disiplinore. Sipas Qeverisë, këto veprime kanë dëmtuar funksionalitetin dhe integritetin e institucionit.

Kryeministri Hristijan Mickoski kishte deklaruar se Kocevskit i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të treguar rezultate konkrete. “Pas një viti e gjysmë, rezultatet munguan. Tani do të fillojmë procesin për zgjedhjen e një kryeprokurori të ri, nga i cili presim standarde më të larta”, tha Mickoski, duke shtuar se Qeveria nuk ka kandidat të preferuar.

Në anën tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e cilësoi këtë proces si ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë, duke thënë se bëhet fjalë për “partizim të mëtejshëm të institucioneve”, e jo për reforma reale.

Related Articles

Back to top button