LokalXLajme

Thirrje për Protestë në Shkup kundër Gjykatës Speciale dhe për liri të ish ushtarëve të UÇK-së

Shoqatat e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Këshilli Organizativ i protestës së paralajmëruar për të shtunën (13 dhjetor) në Shkup, kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. Protesta synon të shprehë mllefin dhe kundërshtimin e fortë ndaj punës së Gjykatës Speciale të Hagës, të cilën e cilësuan si një përpjekje për të njollosur karakterin e luftës së UÇK-së për liri.

Nga Shkupi, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, theksoi se protesta është drejtuar kundër një gjykate politike që po bën padrejtësi. “Kërkohet krerët të lirohen. Kjo gjykatë nuk e ka problem vetëm Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, por përmes tyre tendencat e kësaj gjykate janë për ta goditur luftën tonë të drejtë dhe të pastër, çdoherë duke bashkëpunuar me prokurorinë e Serbisë,” deklaroi Jashari, duke akuzuar Gjykatën për bashkëpunim me Serbinë.

Në lidhje me zërat për mundësinë e ndalimit të ish-ushtarëve të UÇK-së në kufi nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, Jashari lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë. “I themi shtetit maqedon që të mos tentojë të bëjë spektakle të tilla. Ushtarët e UÇK nuk kanë asnjë problem me shtetin maqedon, dhe të gjithë ata që ju kanë përgjigjur luftës së UÇK-së, në të gjitha hapësirat e tokave shqiptare, lufta e tyre është e drejtë dhe e pastër dhe ne nuk kemi problem me shtetin maqedon dhe nuk do të ndodhë një gjë e tillë,” tha Jashari.

Bujar Dardhishta nga Këshilli Organizativ i protestës për mbrojtje të UÇK-së, konfirmoi se organizatorët ende po presin lejen zyrtare për protestën në shesh, por shprehu bindjen se leja do të jepet. Ai shpjegoi bazën ligjore: “Kushtetua dhe Ligji kanë plan rezervë. Ligji mbi protestat, neni 5, pika 1 thotë shprehimisht se e drejta e protestës mund të kufizohet vetëm në dy mënyra, në gjendje lufte dhe në situatë të jashtëzakonshme. Kjo e drejtë madje buron edhe pa leje paraprake nga çfarëdo organi shtetëror. Vetëm me një njoftim paraprak 24 ose 48 orë drejtuar Ministrisë së Brendshme. Por ne kemi bërë kërkesë ligjore që të pajisemi me leje,” shpjegoi Dardhishta.

Partitë opozitare shqiptare kanë shprehur mbështetje për protestën dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ndërkohë, partia shqiptare në pushtet, Koalicioni VLEN, ka shprehur rezerva të theksuara për shkak të organizatorit (Ali Ahmeti), duke akuzuar se po keqpërdor UÇK-në për përfitime politike dhe ringjallje të partisë së tij.

Related Articles

Back to top button