
Adem Çuçul nga sot është fytyra e re e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, pasi deputetët në Kuvend e zgjodhën me 81 vota “për”. Procesi i përzgjedhjes erdhi pas intervistimeve të disa kandidatëve, por përvoja e gjatë e Çuçulit brenda institucionit rezultoi vendimtare.
Ai është jurist i diplomuar nga Shkupi dhe një nga funksionarët më të vjetër teknikë të Antikorrupsionit, ku ka punuar mbi 19 vjet. Fillimisht u paraqit në dokumente si këshilltar për parandalimin e korrupsionit në politikë, ndërsa më vonë u ngjit në postin e sekretarit të përgjithshëm dhe personit zyrtar për komunikim me media.
Me ardhjen e tij në krye të Komisionit, pritet riorganizim i disa proceseve dhe forcim i fokusit në rastet që prekin zyrtarët e lartë, financat politike dhe konfliktin e interesit. Emërimi i Çuçulit vjen në një moment kur institucionit i kërkohet më shumë transparencë dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.



