LokalUncategorized @sqXLajme

Të akuzuarit për tragjedinë e “Pulse” deklarohen të pafajshëm

Të gjithë të akuzuarit për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë, janë deklaruar sot se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat akuzohen. Në seancën e mbajtur në gjykatën e Idrizovës, disa prej tyre shprehën keqardhje për ngjarjen, por megjithatë nuk pranuan fajësinë për veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë publike”.

Seanca u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, me praninë e 37 të pandehurve – pronarë lokalesh, menaxherë, ish-kryetarë komune, inspektorë, roje sigurie dhe nëpunës civilë – si dhe familjarë të viktimave, përfaqësues të prokurorisë, mbrojtjes, gazetarë vendas e të huaj dhe publik.

Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh, përsëriti se provat do të tregojnë se diskoteka “Pulse” kishte qenë “kurth vdekjeje që nga fillimi”, rezultat i neglizhencës sistematike dhe dështimeve të njëpasnjëshme institucionale. Prokurori Borçe Janev theksoi se po kërkohet përgjegjësi e qartë, me emër dhe mbiemër, dhe se shoqëria “duhet të përballet me të vërtetën se kush e lejoi, kush heshti dhe kush nuk e parandaloi” këtë tragjedi.

Në seancën e kaluar, Gjykata kishte shtyrë procesin për shkak të kundërshtimeve të avokatëve mbrojtës, të cilët pretenduan se aktakuza e plotë bashkë me provat nuk u ishte dorëzuar të pandehurve. Sot, Gjykata vendosi të vazhdojë me deklarimet për kërkesat e dëmshpërblimit nga palët e dëmtuara, për të shmangur zvarritjen e procedurës. Përfaqësuesit ligjorë të familjarëve të viktimave u deklaruan se do t’i bashkohen ndjekjes penale dhe kërkesat për dëmshpërblim do t’i parashtrojnë në procedurat civile.

Sipas Prokurorisë, tragjedia e 16 marsit 2025 ndodhi për shkak të një zinxhiri shkeljesh dhe mosveprimesh: diskoteka funksiononte pa sistem zjarrfikës, me materiale shumë të ndezshme e toksike, me dritare të vulosura dhe vetëm një dalje evakuimi, ndërsa natën kritike brenda lokalit ishin lejuar mbi 600 persona, mes tyre edhe fëmijë.

Të pandehur në këtë proces janë 34 individë dhe tre persona juridikë. Midis tyre figurojnë:
Dejan Jovanov, Mitko Stojanov, Mihail Jovanov, Grozdan Milkovski, Milka Edrovska, Todor Jovanov, Ognjan Georgiev, Ljupço Stamenkov, Nikolço Gotçev, Ratko Dimitrovski, Nikolço Iliev, Ljupço Papazov, Jane Jançeski, Lazar Zhariev, Ivica Groszanov, Martin Gorgiev, Stojanço Dimitriev, Shaban Saliu, Adnan Xhaferoski, Bekim Maksuti, Xhevat Selami, Ljupço Grnçishtanov, Valon Saraqini, Kreshnik Bekteshi, Xhevair Kamberi, Shovket Hazari, Zoran Nikolovski, Bekim Haxhiu, Arlinda Kasapi, Blashkana Eftimova Mitev, Razmena Çekiq-Duroviq, si dhe tre persona juridikë: “MMMM KAFE” SHPK Koçani, RUBICON SECURITY SOLUTIONS dhe VENCI PROEKT SHPK Koçani.

Gjykimi po udhëhiqet nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska dhe pritet të zgjasë me muaj, për shkak të numrit të madh të të pandehurve, dëshmitarëve dhe provave që duhet të shqyrtohen.

Related Articles

Back to top button