BotëXLajmeXВестиЛокално

Federica Mogherini arrestohet në Belgjikë për dyshime mbi mashtrime me fondet e BE-së

Ish-përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është arrestuar nga autoritetet belge në kuadër të një hetimi të gjerë të Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO), i cili lidhet me dyshime për mashtrim me fondet e BE-së. Lajmi u publikua fillimisht nga media belge dhe më pas u konfirmua nga burime ndërkombëtare.

Sipas burimeve të EPPO-s, hetimet fokusohen në përdorimin e fondeve evropiane gjatë viteve 2021–2022 për Akademinë Diplomatike të BE-së – program që synon trajnimin e diplomatëve të rinj nga shtetet anëtare. Autoritetet dyshojnë se gjatë kësaj periudhe ka pasur parregullsi serioze në procedurat e tenderimit, përfshirë mashtrim në kontratat publike, korrupsion, konflikt interesi dhe përdorim të paautorizuar të informacioneve konfidenciale.

Policia belge ka kryer kontrolle në zyrat e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, si dhe në ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges, ku Mogherini shërben si rektore. Krahas saj, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, ndërsa ndaj disa të dyshuarve kishte nisur më herët procedura për heqjen e imunitetit.

Sipas raporteve, hetimi është zhvilluar pas sinjalizimeve të para nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimeve (OLAF), duke u zgjeruar më pas në një operacion të koordinuar që ka përfshirë bastisje në institucionet e BE-së dhe në banesa private.

Mogherini aktualisht ndodhet në paraburgim policor. As ajo, as EEAS, e as Kolegji i Evropës nuk kanë dhënë komente publike mbi arrestimin apo akuzat.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në qarqet evropiane, duke rikthyer në qendër të debatit çështjet e menaxhimit të fondeve publike dhe integritetit të prokurimeve brenda institucioneve të BE-së. EPPO njofton se hetimet vazhdojnë dhe priten zhvillime të reja në ditët në vijim.

Related Articles

Back to top button