LokalXLajme

Nis zbatimi i sistemit “Safe City”: Çfarë ndryshon për shoferët nga sot?

Nga sot në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë fillon faza e parë e funksionimit të sistemit inteligjent të monitorimit “Safe City”, një projekt që Ministria e Punëve të Brendshme e konsideron si hapin më të madh drejt automatizimit të kontrollit të trafikut në vend.

Edhe pse gjobat ende nuk do të lëshohen zyrtarisht, kamerat e reja dhe pajisjet e mbikëqyrjes hyjnë sot në përdorim testues. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski deklaroi se kjo periudhë do të zgjasë rreth një muaj, gjatë së cilës shoferët do të marrin vetëm paralajmërime, pa detyrim pagese.

Sipas MPB-së, çdo shkelje e regjistruar do t’i dërgohet pronarit të automjetit përmes SMS-i dhe emailit, ku përfshihet edhe linku drejt raportit të shkeljes. Këto paralajmërime do të shërbejnë si njoftim se sistemi tashmë është aktiv dhe se nga janari 2026 gjobat do të jenë plotësisht të zbatueshme.

Ministri Toshkovski ka theksuar se ndryshimet ligjore të nevojshme për këtë projekt pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, kur “Safe City” do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit deri në mesin e 2026-s.

Si do të funksionojnë gjobat nga janari 2026?
– Pronari i automjetit shkeljen e të cilit e kap kamera do të marrë njoftim zyrtar me link të raportit.
– Brenda 8 ditësh nga marrja e njoftimit, gjoba mund të paguhet në gjysmë sikur deri më tani.
– Pas kësaj periudhe, shoferi ka edhe 8 ditë të tjera për ta paguar shumën e plotë.
– Nëse as ky afat nuk respektohet, nis procedura e pagesës së detyrueshme.
– Pagesat do të mund të bëhen online, ndërsa sistemi do të njoftojë automatikisht MPB-në pas kryerjes së pagesës.

Në këtë fazë të parë, qytetarët nuk do të gjobiten, por paralajmërimet që do të marrin pritet të tregojnë qartë se cilat lloje shkeljesh do të identifikohen: tejkalim shpejtësie, kalim në të kuqe, parkim të palejuar, mosvendosje të rripit të sigurisë dhe përdorim të telefonit gjatë vozitjes.

MPB thotë se faza testuese është vendimtare për të shmangur gabimet, për ta njohur publikun me mënyrën e funksionimit dhe për të siguruar transparencë para se të nisë zbatimi i plotë i gjobave në janar.

Related Articles

Back to top button