
Ministra – do të magjistrojnë, drejtorë – do të doktorojnë.
Bojan Hristovski, drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), zyrtarisht është regjistruar në studimet e doktoraturës në Fakultetin e Sigurisë, zbulon PortalX.
Më 25 nëntor 2025, Këshilli i studimeve të doktoraturës në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir e ka miratuar listën preliminare për pranimin e studentëve në ciklin e tretë – studimet e doktoraturës në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, në programin studimor të sigurisë.
Sipas listës së publikuar në faqen e Fakultetit të Sigurisë, kandidati i fundit dhe i pesti është magjistri Bojan Hristovski, drejtor i ASK-së, i cili është përzgjedhur me notë mesatare 8.75 nga studimet e tij të mëparshme të magjistraturës në fushën e kriminalistikës dhe kriminologjisë në të njëjtin fakultet. Në krahasim me kandidatët e tjerë, Hristovski ka notën më të ulët, por megjithatë të mjaftueshme (kërkohet mesatare 8.0 nga studimet deridiplomike dhe postdiplomike) për t’u përzgjedhur. Mentori i tij do të jetë profesori Oliver Baçanoviq.
Përzgjedhjes i ka paraprirë një intervistë e kandidatëve. Dokumenti tregon se Hristovski ka kapur afatin e dytë të konkursit të shpallur për studentët e ciklit të tretë për vitin akademik 2025/2026. Programi studimor zgjat tre vite, përkatësisht gjashtë semestra.
Sipas nenit 14 të Rregullores për kushtet, kriteret dhe rregullat për regjistrim dhe studim në ciklin e tretë në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, Hristovski – gjatë studimeve, e më së voni deri në mbrojtjen e doktoraturës – duhet të publikojë të paktën dy punime në publikime shkencore referuese, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë. Doktoratura duhet të ketë nga 200 deri në 300 faqe.
PortalX i është drejtuar zyrtarisht ASK-së me pyetje direkte për drejtorin Bojan Hristovski, lidhur me ambicien e tij akademike për t’u bërë doktor shkencash.
E pyetëm Hristovskin se si planifikon ta organizojë kohën dhe prioritetet e punës, duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe të pozitës së drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe angazhimin intensiv që kërkojnë ligjëratat, kërkimi dhe shkrimi i doktoraturës. Gjithashtu, e pyetëm nëse ekziston rreziku që ushtrimi paralel i dy roleve — drejtor dhe doktorant — mund të çojë në ulje të efikasitetit apo transparencës, si në menaxhimin e shërbimit, ashtu edhe në punën akademike. Pyetëm edhe nëse fakti që doktoratura e tij do të jetë në fushën e sigurisë – fushë që është edhe kompetencë zyrtare e tij – mund të paraqesë konflikt interesi.
Deri në fund të orarit të punës, Hristovski nuk është përgjigjur në pyetjet tona.
Por Bojan Hristovski nuk është i vetmi që krahas funksionit udhëheqës, ka hyrë në ujërat akademike. Dy ministra, njëkohësisht, po ndërtojnë karrierën e tyre akademike duke u mbështetur në funksionet dhe resorët që ata i kontrollojnë.
Dy muaj më parë, debati për konflikt të mundshëm interesi – ministër dhe magjistrand – u nxe edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai është regjistruar në magjistraturë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë UKIM-it. Tema e magjistraturës së tij është “Aspekte kriminologjike dhe krahasuese për përmirësimin e sigurisë në trafikun publik” – temë e lidhur drejtpërdrejt me projektet qeveritare “Qytet i Sigurt” dhe “Shtet i Sigurt”, të cilat pritet të hyjnë në funksion më 1 janar 2026.
Kur Toshkovski u pyet në intervistë për “360 Gradë” nëse sheh problem që magjistron në një temë nga resori që e drejton, ai u përgjigj prerazi: “Absolutisht jo.” Sipas tij, veprim joetik do të kishte vetëm nëse ai do të keqpërdorte të dhëna që janë të disponueshme vetëm për të, e jo për studentët e tjerë. Ai shtoi se fle vetëm pesë orë në ditë dhe do të ketë kohë për magjistraturën.
Magjistraturë në fushën e gjyqësorit ka paraqitur edhe ministri i Drejtësisë, Igor Filkov. Tema e tij e magjistraturës është “Hartimi i strategjive në sferën e gjyqësorit si kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë”. Edhe ai i mohoi pretendimet për konflikt interesi, duke thënë se në legjislacionin maqedonas nuk ekziston kategori “konfliktuale” apo “jo-konfliktuale” për temat e magjistraturës.



