
Duke nisur nga viti 2027, punësimet partiake në administratën publike pritet të zëvendësohen me një sistem të ri profesionalizimi: çdo kandidat që kërkon punë në administratë do të duhet të ndjekë 120 orë trajnim në Akademinë e Nëpunësve Publikë dhe më pas të kalojë provimin para një komisioni profesional. Ky model synon të krijojë një administratë të depolitizuar, të qëndrueshme dhe të bazuar në meritë.
Ministria e Administratës Publike po e përmbyll ciklin e trajnimeve të vitit 2025, ku mbi një mijë nëpunës nga Shkupi, Pollogu, Lindja dhe Pellagonia u përfshinë në programe zhvillimore. Nga Manastiri, ministri Goran Minçev njoftoi se themelimi i Akademisë në vitin 2027 do të vendosë standarde të reja për rekrutimin dhe përgatitjen e administratës.
Sipas ministrit, administrata publike është “qarkullimi i gjakut të shtetit”, ndërsa profesionalizimi i saj është investim në stabilitet dhe besim. “Kur një zyrtar vepron me ndershmëri dhe profesionalizëm, qytetari nuk sheh parti, por shtet”, theksoi ai.
Përveç trajnimit të detyrueshëm, në sistem do të vendoset edhe formimi i vazhdueshëm profesional, që do të përditësojë njohuritë dhe aftësitë e administratës, duke e përshtatur me teknologjinë, digjitalizimin dhe standardet evropiane.
Reformat mbështeten nga Ligji i ri për Zhvillimin Profesional dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativë, si dhe Ligji për Shërbimin e Menaxhimit të Lartë, që synojnë krijimin e një administrate dhe menaxhimi profesional, të pavarur nga ndikimet politike.
“Ky është fillimi i një epoke të re ku administrata punëson sipas dijes dhe meritës, jo sipas partisë”, deklaroi Minçev.



