
Vlen nuk do të marrë poste shtesë në riorganizimin e ri qeveritar, sipas burimeve të Portalit X. Koalicioni ka vendosur të mbajë të pandryshuara funksionet aktuale, ndërsa lëvizja kryesore lidhet me Orhan Murtezanin, i cili pritet të emërohet ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO.
Emri më i përfolur për pozitën e zëvendëskryeministrit është deputeti i Alternativës, Bekim Sali, i cili pritet të zëvendësojë Izet Mexhitin, tashmë kryetar i Komunës së Çairit. Burimet sqarojnë se Sali, përveç detyrës së mundshme si zëvendëskryeministër, do të mbajë edhe postin e Ministrit për Çështje Evropiane, detyrë që për momentin e ushtron Orhan Murtezani, para se të propozohet për pozitën e ambasadorit në NATO.
Ndërkohë, sipas burimeve të Portalit X, ende nuk është marrë vendimi përfundimtar për drejtimin e Ministrisë së Ekologjisë, e cila më herët është menaxhuar në nivel zëvendësministri nga Izet Mexhiti. Emrat më të përfolur për këtë resor deri në këtë moment janë Nedim Rama dhe Muhamed Hoxha, ndërsa vendimi pritet pas harmonizimit të plotë brenda koalicionit.



