LokalXLajme

42-vjeçari nga Tetova gjendet i ekzekutuar me armë zjarri në veturën e tij në Nerasht

Tetova është tronditur nga një vrasje e rëndë që u zbulua këtë pasdite në arat e fshatit Nerasht. A.B., 42 vjeç nga Tetova, i raportuar si i zhdukur një ditë më parë, është gjetur pa shenja jete brenda veturës së tij “Audi Q5”. Hetuesit kanë konstatuar një vrimë plumbi në xhamin e shoferit dhe gjurmë të shumta gjaku në pjesën e kokës së viktimës, çka ka ngritur dyshimet e forta për një ekzekutim me armë zjarri.

Bashkëshortja e tij, B.B. (33), e kishte denoncuar zhdukjen në SPB Tetovë më 24.11.2025, rreth orës 02:00, pasi A.B. ishte larguar në orët e mbrëmjes me veturën e tij dhe kishte ndalur së përgjigjuri në telefon. Pas denoncimit, policia ka nisur kërkime intensive në zonën e Tetovës dhe Tearcës.

Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 16:15 të ditës së sotme, policët e Tearcës kanë vërejtur veturën e parkuar në një parcelë të izoluar në Nerasht. Brenda saj, ata kanë gjetur një person mashkull që nuk jepte shenja jete. “Në xhamin e shoferit është vërejtur një vrimë e shkaktuar nga predha e plumbit, ndërsa ekipi mjekësor që mbërriti në vendngjarje ka konstatuar vdekjen,” ka njoftuar policia, duke shtuar se viktima është identifikuar si A.B. nga Tetova.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori Publik dhe ekipet e ekspertizës së SPB Tetovë, të cilët kanë kryer këqyrjen dhe mbledhjen e provave. Zona është bllokuar nga policia gjatë gjithë procesit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar motivin dhe autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje.

Autoritetet kanë paralajmëruar se do të publikojnë detaje të reja sapo të ketë zhvillime në hetimet që po vazhdojnë intensivisht.

Related Articles

Back to top button