VMRO, ZNAM dhe VLEN dorëzuan iniciativë për Komision Hetimor për “Puls”, Llaskarcë, Modulari dhe “Besa Trans”

Grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, VLEN dhe ZNAM dorëzuan sot një iniciativë për formimin e një Komisioni Hetimor që do të shqyrtojë rrethanat dhe mënyrën e veprimit të institucioneve në disa nga tragjeditë më të rënda në vend. Iniciativa u bë e ditur nga deputeti Bojan Stojanoski nga koalicioni “Maqedonia Jote”.
Sipas Stojanoskit, komisioni do të ketë për detyrë të përcaktojë përgjegjësinë e funksionarëve, bartësve të funksioneve publike dhe personave të tjerë të përfshirë në rastet e zjarrit në kabaren “Puls” në Koçan, zjarrit në spitalin modular në Tetovë, aksidentit të autobusit të “Durmo Tours” në Laskarcë dhe tragjedisë së “Besa Trans” në Bullgari.
“77 nënshkrimet janë dëshmi se nuk duam t’i politizojmë këto ngjarje tragjike, por duam që të prekurit të marrin drejtësi. Të gjitha pyetjet duhet të marrin përgjigje dhe secili rast duhet të ketë epilogun e vet,” tha Stojanoski.
Komisioni do të formohet në bazë të nenit 124, paragrafi 5 të Rregullores së Kuvendit dhe do të ketë 15 anëtarë dhe zëvendësit e tyre. Shtatë anëtarë do të propozohen nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, dy nga LSDM-ja, dy nga Fronti Evropian, dy nga VLEN, një nga ZNAM dhe një nga Levica. Komisioni do të kryesohet nga një deputet i opozitës.
Stojanoski theksoi se çdo grup parlamentar do të ketë të drejtën të propozojë listë të dëshmitarëve dhe ekspertëve. “Çdo dëshmitar ose ekspert i thirrur është i obliguar të paraqitet para komisionit. Komisioni do të përgatisë raporte që do t’i dërgohen Qeverisë dhe Prokurorisë Publike,” u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje edhe deputetëve nga partitë tjera që t’i bashkohen iniciativës: “Ky është një hap i rëndësishëm drejt një shteti më të drejtë dhe më përgjegjës.”



