Gjykata e Koçanit e refuzon ankesën e Prokurorisë – mbetet në fuqi arresti shtëpiak për dy inspektorët në rastin “Puls”

Këshilli penal i Gjykatës Themelore në Koçan ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore Publike dhe ka konfirmuar masën e arrestit shtëpiak për dy inspektorët tatimorë të arrestuar javën e kaluar në aksionin e lidhur me tragjedinë në kabaren “Puls”. Prokuroria të enjten hapi hetim ndaj 11 personave, mes tyre edhe dy zyrtarët tatimorë, të dyshuar se kanë marrë ryshfet duke informuar paraprakisht përgjegjësit e lokalit për kontrollet inspektuese, në këmbim të dhuratave. Edhe pse Prokuroria kërkoi paraburgim, gjyqtari i procedurës paraprake vendosi masën më të butë – arrest shtëpiak.
Pas këtij vendimi, Prokuroria paraqiti ankesë, por sot Gjykata njoftoi se Këshilli penal e ka refuzuar atë dhe ka lënë në fuqi masën fillestare. Sipas vendimit, Këshilli ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e të dyshuarve dhe për të parandaluar ndikimin e tyre në procedurën hetimore.
Për gjashtë të dyshuar të tjerë, Gjykata ka caktuar masa kujdesi, ndërsa një personi i është vendosur edhe masë shtesë. Zjarri në kabaren “Puls”, që shpërtheu natën e 15-16 marsit, shkaktoi vdekjen e 63 të rinjve dhe plagosi mbi 200 persona, duke u shndërruar në një nga tragjeditë më të rënda të vendit. Në lidhje me rastin, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave – pronarë, menaxherë, persona përgjegjës dhe zyrtarë të institucioneve – të cilët dyshohet se me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë kontribuar në krijimin e kushteve që çuan në katastrofë. Në mesin e të akuzuarve janë edhe pronari i lokalit, Dejan Jovanov–Deko, djali i tij dhe pronari i agjencisë së sigurisë “Rubikon”, Aleksandar Nacev. Hetimet vazhdojnë.



