LokalXLajme

Dhuna mes të miturve përshkallëzohet, institucionet frenojnë prindërit – jo agresorët

Një tjetër rast i rëndë dhune ndaj të miturve po trondit opinionin, ndërsa institucionet, në vend që të mbrojnë viktimat, po dërgojnë sinjal krejt të kundërt. Gazetari i PortaliX, Furkan Saliu, ka hulumtuar historinë e një vajze të mitur, e cila është sulmuar nga bashkëmoshatare të saj, ndërkohë që sjellja e organeve të drejtësisë ka shtuar edhe më shumë shqetësimet për mënyrën si trajtohen këto raste.

Pamjet e dhunës, thotë Saliu në storjen e tij, tregojnë një realitet të hidhur: fëmijë që sillen me brutalitet, por edhe një sistem që i ka mësuar se përgjegjësia është gjithmonë e shmangshme. “Çfarëdo që të bëjnë… gjithmonë do të dalë dikush që do t’i shpëtojë nga përgjegjësia. Edhe ata… edhe prindërit e tyre,” thotë ai.

Prindi i viktimës: Prokurorja tentoi të më bindë të tërhiqem

Babai i vajzës së mitur tregon për PortaliX se, në vend që të kërkohej ndëshkimi i autorëve, prokurorja e rastit në Shtip është përpjekur ta dekurajojë atë nga raportimi dhe procedura ligjore.

Saliu thekson se ekipi i tij ka tentuar të marrë përgjigje nga Prokuroria e Shtipit, por institucioni ka deklaruar se “ende nuk ka zëdhënës”, ndërsa pyetjet e dërguara me email kanë mbetur pa përgjigje.

Avokatja: Në vend të ndihmës, shkolla e përkeqësoi situatën

Avokatja e familjes, Maja Ristova, shprehet se madje edhe shkolla – që duhej të ishte aktori i parë mbrojtës – “ka bërë më shumë dëm sesa mirë”, duke mos ndërmarrë hapat e duhur për ta trajtuar rastin dhe për të mbrojtur vajzën.

Ajo shton se qasja institucionale, nga shkolla e deri te Prokuroria, po krijon një ambient ku dhuna normalizohet, ndërsa raportuesit e rasteve ndihen të frikësuar dhe të pambrojtur.

Redaksia e PortaliX kishte hezitime fillestare, pasi publikimi mund ta rëndonte gjendjen emocionale të vajzës. Por, pas rrëfimit të babait dhe faktit se Prokuroria, në vend të veprimit, kërkonte të mbyllte sytë, ekipi vendosi që rasti të bëhej publik.

“Tani presim reagimin zyrtar të Prokurorisë,” thotë Saliu, duke shtuar se hapi i radhës është të hetohet se përse një prokurore do të tentonte të bindte një prind “që të mos kërkojë drejtësi ligjërisht për fëmijën e vet”.

Në një vend ku dhuna mes të miturve po shndërrohet në fenomen të rrezikshëm, ky rast shtron pyetjen më të rëndë: Si mund të mbrohen fëmijët, nëse institucionet që duhet t’i mbrojnë, prodhojnë heshtje, presion dhe dekurajim?

Related Articles

Back to top button