LokalXLajme

Rrahin për t’u bërë viralë: Adoleshentët që kërkojnë ‘lavdi’ duke sulmuar një 13-vjeçar

Një tjetër rast tronditës dhune mes të miturve po qarkullon në rrjetet sociale. Disa adoleshentë, të paktën pesë vite më të mëdhenj se viktima, kanë sulmuar një 13-vjeçar në Draçevë – thjesht për një video që do t’u sillte klikime, pëlqime dhe “famë” në internet.

Sipas raportimit të gazetarit Furkan Saliu nga PortaliX, sulmuesit e dinin se djali i vogël ishte kikbokser, por në vend ta shmangnin përplasjen, këtë e panë si sfidë. “Shkuan me idenë që të rrahin një bokser dhe ta publikojnë videon që ta shohin të gjithë dhe të qeshin me të”, tregon babai i fëmijës, Rafis Kamberovski për PortalinX.

Ai rrëfen se djali i tij e ushtron kikboksin prej gjashtë vitesh dhe se pas publikimit të videos ka marrë reagime edhe nga prindër të tjerë, të cilët i kanë treguar se grupi i njëjtë e kishte vënë në shënjestër prej kohësh. Pasi pa videon, Kamberovski e raportoi menjëherë rastin në polici. “E paraqita rastin në polici, nga policia më thanë se shpejt do ta procesojnë”, thotë ai.

Ky nuk ishte incidenti i parë. Babai tregon se më herët i njëjti grup adoleshentësh, 15–16 vjeç, kishin shkuar edhe në shkollën e djalit të tij për ta sulmuar, por ishin ndalur nga nxënës më të rritur që i kishin përzënë.

Rasti i Draçevës është vetëm një shembull i një fenomeni që po rritet me shpejtësi: dhuna e dokumentuar dhe e shpërndarë online si formë argëtimi dhe matje “egoje” mes të rinjve.

PortaliX vetëm muajin e parafundit publikoi dy storje të ngjashme, ku dhuna nëpër shkolla ishte tema kryesore. Megjithëse fenomeni po bëhet alarmant, deri tani nuk ka asnjë reagim serioz institucional. Sektori për Krim Kibernetik nuk ka hapur procedura të dukshme hetimore për rastet e publikuara, ndërsa shkollat nuk kanë ndërmarrë nisma për të krijuar mekanizma mbrojtjeje dhe parandalimi.

Rasti i fundit është një tjetër alarm se dhuna mes të miturve nuk po ndodh vetëm në oborrin e shkollës, por po shndërrohet në “përmbajtje virale” që mund të ndodhë kudo, dhe mund ti ndodhë kujtdo.

Related Articles

Back to top button