
Prej ditës së sotme, në Shkup ka hyrë në fuqi një rregull i ri që ndalon hedhjen e mbeturinave gjatë natës – nga ora 22:00 deri në 06:00. Autoritetet paralajmërojnë se kontrolli do të jetë i rreptë dhe patrullimet do të vazhdojnë edhe pas mesnate.
Sipas vendimit, inspektorët e qytetit dhe rojet komunale do të jenë në terren për të kapur në flagrancë çdo shkelës. Fillimisht do të jepen vërejtje, ndërsa më pas do të pasojnë gjobat.
Sanksionet janë të qarta:
- 50 euro për qytetarët,
- 1.300 deri në 1.800 euro për personat juridikë, me mundësi rritjeje varësisht llojit të mbeturinave.
Nga NP “Higjiena Komunale” thonë se masa është e domosdoshme, pasi problemet më të mëdha vijnë pikërisht nga subjektet juridike, të cilat shpesh i hedhin mbeturinat në mënyrë të pakontrolluar dhe në orët e vona.
Qyteti i Shkupit tani angazhon, 40 inspektorë, 11 inspektorë komunalë, 10 roje komunale, të cilët do të dokumentojnë shkeljet në vend. Nëse hasen sasi të mëdha mbeturinash ose mbeturina që nuk i takojnë amvisërive, do të nisin kontrolle të thelluara ndaj subjekteve përgjegjëse.
Me këtë masë, autoritetet synojnë të vendosin rregull më të madh, të ulin ndotjen dhe të frenojnë hedhjen ilegale të mbeturinave në kryeqytet.



