LokalUncategorized @sqXLajme

Ademi: Raporti i Komisionit Evropian me vlerësimin më të dobët në një dekadë për RMV-në

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, reagoi ashpër ndaj raportit të fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur atë “më negativin në 10 vitet e fundit”. Sipas tij, dokumenti është një pasqyrë e qartë e ngecjes së thellë institucionale dhe e mungesës së reformave të premtuara.

Ademi thekson se kritikat e BE-së nuk janë thjesht vërejtje teknike, por paralajmërime serioze që tregojnë se vendi ka devijuar nga rruga evropiane.

“Raporti e bën shumë të qartë: ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht i prerë nga Këshilli Evropian, as që janë tentuar të realizohen. Asnjë hap, asnjë përpjekje”, deklaroi ai.

Sipas tij, reforma e administratës publike ka dështuar në mënyrë të dukshme. Administrata vazhdon të funksionojë në bazë partiake, pa meritokraci dhe pa standarde evropiane. “Reformat ekzistojnë vetëm në letër, zbatimi mungon plotësisht”, shtoi Ademi.

Ai tha se situata nuk është më pozitive as në fushën e demokracisë, ku raporti vëren mosadresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për integritetin zgjedhor dhe transparencën e institucioneve. “Edhe Kuvendi, organ kyç i demokracisë, nuk po funksionon siç duhet”, vlerësoi ai.

Në ekonomi, sipas Ademit, pasqyra është po aq e zymtë: inflacion i lartë, deficite të mëdha dhe konkurrueshmëri e ulët. Ai kritikoi qeverinë edhe për dështimin në shfrytëzimin e fondeve të BE-së. “Kjo është humbje e drejtpërdrejtë për qytetarët”, u shpreh nënkryetari i BDI-së.

Ademi e mbylli reagimin e tij me një paralajmërim: “Nëse ky raport nuk e zgjon qeverinë dhe institucionet nga gjumi, atëherë Maqedonia rrezikon seriozisht të humbasë hapin me proceset evropiane.”

Related Articles

Back to top button