BotëXLajme

Trump kërkon miliarda dollarë dëmshpërblim nga BBC dhe heqjen e dokumentarit “Panorama”

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një padi ndaj transmetuesit publik britanik BBC, duke kërkuar miliarda dollarë dëmshpërblim dhe tërheqjen e dokumentarit “Panorama” deri të premten, më 14 nëntor. Trump akuzon BBC-në për “mashtrim ndaj publikut” dhe “manipulim redaktorial” të një fjalimi të tij.

“Kam detyrim të reagoj. Ata e mashtruan publikun dhe vetë e kanë pranuar këtë. E gjitha kjo vjen nga një vend aleat,” deklaroi Trump në një intervistë për prezantuesen amerikane Lori Ingraham, duke shtuar se BBC “nga një fjalim paqësor dhe qetësues e ka bërë të tingëllojë radikal.”

BBC ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare, por burime të brendshme pohojnë se redaksia qëndron pas dokumentarit, duke e cilësuar si “një hulumtim gazetaresk me interes publik”.

Dorëheqje në BBC pas skandalit

Skandali rreth dokumentarit ka shkaktuar një valë dorëheqjesh në BBC. Drejtori i përgjithshëm Tim Deivi dhe drejtoresha ekzekutive për lajme, Debora Ternes, kanë dhënë dorëheqje, duke pranuar përgjegjësinë për “gabimin redaktorial që dëmtoi interesin publik”.

Dokumentari “Panorama” kishte hequr pjesën e fjalimit të Trump-it në të cilën ai u bënte thirrje mbështetësve të protestonin paqësisht para sulmit ndaj Kongresit në janar të vitit 2021. Një dosje e brendshme e BBC-së kishte vlerësuar këtë redaktim si “tërësisht të gabuar” dhe kishte ngritur shqetësime serioze për paanshmërinë e kanalit.

Në deklaratën e tij, Deivi tha se “BBC duhet të mbetet gjithmonë transparente dhe e përgjegjshme”, ndërsa Ternes theksoi se debati rreth dokumentarit “po dëmton imazhin e institucionit që e dua shumë”.

Pas publikimit të lajmit, Trump e përshëndeti vendimin për dorëheqje, duke i quajtur “shpalosje të gazetarëve të korruptuar” që, sipas tij, “kanë tentuar të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale amerikane”.

Dorëheqjet dhe padia e paralajmëruar nga Trump po konsiderohen si një nga goditjet më të mëdha ndaj besueshmërisë së BBC-së në vitet e fundit, ndërkohë që transmetuesi britanik po përballet me kritika të shumta për raportimin e tij në çështje të ndjeshme ndërkombëtare.

Related Articles

Back to top button