
Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Maqedoninë e Veriut ka shpallur fituesit e çmimit shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2025. Këtë vit, çmimi i prestigjioz do t’u ndahet prof. dr. Sevdail Demirit, studiues, poet dhe publicist, si dhe shkrimtarit Resul Shabani.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 22 nëntor, në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të Ministrisë, laureatët u vlerësuan “për arritjet në fushën e jetës politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për kontributin e tyre në avancimin e bashkëjetesës njerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme”.
Çmimi shtetëror “22 Nëntori” u themelua për të nderuar individët që kanë dhënë kontribut të veçantë në sferën politike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Konkursi për këtë çmim për vitin 2025 ishte i hapur nga 1 deri më 31 maj 2025.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, data 22 nëntor shënohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga ngjarjet më të rëndësishme historike për kulturën dhe identitetin shqiptar.



