
Droni me të cilin u realizuan pamjet ajrore të “aksionit të madh për pastrimin e Shkupit” nuk ishte i regjistruar dhe nuk kishte leje për fluturim, tregojnë të dhënat publike të Agjencisë së Aviacionit Civil, shkruan Prizma.
Sipas rregullave në fuqi, çdo dron që fluturon në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut duhet të jetë i regjistruar në Agjencinë e Aviacionit Civil, ndërsa çdo fluturim duhet të njoftohet paraprakisht në sistemin elektronik të këtij institucioni.
Megjithatë, më 6 nëntor, kur u zhvillua “aksioni i madh i pastrimit” para Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”, nuk është regjistruar asnjë njoftim për fluturim në atë lokacion dhe në atë orar. Po ashtu, nuk ka pasur njoftime as më 7 dhe 8 nëntor, kur kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Shkupit Orce Gjorgjievski publikuan videot dhe fotot e realizuara nga ajri.
Një operator i licencuar i dronëve sqaroi se njoftimi për fluturim është detyrues “për të rezervuar hapësirën ajrore dhe për të shmangur ndonjë incident”.
Drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil, Dragi Stojanovski, tha për Prizman se është pothuajse e pamundur të konstatohet më pas kush e ka operuar dronin:
“Ne nuk kemi kapacitet teknik për të gjurmuar se kush e ka fluturuar atë”, deklaroi ai.
Në mars të këtij viti, policia kishte ndaluar gazetarë të Reuters dhe TV21 për filmime me dron gjatë një proteste në Shkup, me arsyetimin se nuk kishin leje. Por këtë herë, kur fluturimi u krye për regjistrime qeveritare, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar dhe asnjë procedurë të nisur.



