LokalXLajme

Gjysma e të rinjve në RMV dyshojnë se vendi do të bëhet ndonjëherë pjesë e BE-së

Edhe pse shumica e të rinjve në Maqedoninë e Veriut e shohin Bashkimin Evropian si diçka pozitive, pothuajse gjysma e tyre nuk besojnë se vendi do të anëtarësohet ndonjëherë në Union. Kjo tregohet në raportin “Përballja me euroskepticizmin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor: Rasti i Maqedonisë së Veriut”, që sinjalizon rritje të ndjeshme të skepticizmit ndaj integrimeve evropiane dhe mungesë besimi në institucionet vendore.

Sipas gjetjeve të studimit, 41 për qind e të rinjve kanë qëndrim pozitiv ndaj BE-së, 24 për qind negativ, ndërsa 35 për qind janë neutralë. Megjithatë, 46,5 për qind e të anketuarve nuk besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së, ndërsa 35,8 për qind mendojnë se kjo mund të ndodhë vetëm pas shumë vitesh. Vetëm 6,7 për qind janë optimistë se anëtarësimi mund të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme.

Autorët e raportit theksojnë se “ky hendek midis shpresës dhe realitetit, mes interesit dhe mosbesimit, përbën thelbin e euroskepticizmit të të rinjve”, duke paralajmëruar se pa përfshirjen e tyre aktive procesi i zgjerimit të BE-së nuk mund të ketë sukses.

Të rinjtë e shohin korrupsionin si pengesën më të madhe për integrimin – një qëndrim i ndarë nga 84,6 për qind e tyre. Pasojnë mungesa e besimit në institucione dhe mosmarrëveshjet bilaterale me vendet fqinje. Sipas raportit, kjo tregon se të rinjtë e konsiderojnë ambientin politik vendas si pengesën kryesore drejt rrugës evropiane dhe presin hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit si kusht për përmirësimin e jetesës dhe ndalimin e emigrimit.

Raporti përfundon me thirrjen se “Evropa nuk do të jetë e plotë pa ta”, duke apeluar për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet BE-së dhe vendeve kandidate për të përfshirë të rinjtë në proceset e politikëbërjes dhe programet evropiane.

Anketa është zhvilluar në fund të qershorit 2025, në bashkëpunim me platformën studentore “Studentarija”, dhe ka përfshirë 1.000 të rinj nga Maqedonia e Veriut – kryesisht studentë universitarë dhe pasuniversitarë. Projekti është realizuar nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike (IDUЕP) në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Ekselencë (ECE) nga Brukseli dhe Fondacionin Liberal “Friedrich Naumann”.

Related Articles

Back to top button