BotëUncategorized @sq

Vizitë historike – Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa pritet nga Donald Trump

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara për një vizitë që cilësohet si historike dhe potencialisht përcaktuese për të ardhmen e marrëdhënieve mes Damaskut dhe Uashingtonit.

Udhëtimi i tij vjen menjëherë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e hoqi emrin e Sharaa-s nga lista e zezë e terrorizmit, duke sinjalizuar një ndryshim rrënjësor në qasjen amerikane ndaj Sirisë pas më shumë se dy dekadash tensione.

Burime diplomatike konfirmojnë se të hënën, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti sirian do të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus do të jenë bashkëpunimi rajonal, lufta kundër terrorizmit dhe mundësitë për integrimin e Sirisë në strukturat ndërkombëtare të sigurisë.

Kjo është vizita e parë e një kreu shteti sirian në SHBA që prej shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 1946 – një moment që shumë analistë e cilësojnë si përmbysje historike të izolimit diplomatik të Damaskut. Dy liderët janë takuar më herët në Riad, gjatë një turi rajonal të Trump-it në Lindjen e Mesme, ku raportohet se është hedhur ideja për një bashkëpunim të ri kundër ekstremizmit.

Sipas të dërguarit amerikan për Sirinë, Tom Barrack, gjatë vizitës pritet të firmoset një marrëveshje strategjike që do të lejojë Sirinë të bashkohet me aleancën ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik (IS).

Një burim diplomatik në Damask ka bërë të ditur për AFP-në se Uashingtoni po shqyrton hapjen e një baze ushtarake pranë kryeqytetit sirian, që do të shërbejë për koordinimin e ndihmës humanitare dhe monitorimin e kufirit me Izraelin.

Vendimi amerikan për të hequr Sharaa-n nga lista e zezë është përshëndetur nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët e shohin këtë zhvillim si fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas dekadash përplasje diplomatike dhe sanksionesh të ndërsjella.

Related Articles

Back to top button