RajonXLajme

Sot votohet në 18 komuna në rreth të dytë në Kosovë, mbi 1.3 milion qytetarë me të drejtë vote

Në Kosovë ka nisur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku mbi 1 milion e 316 mijë qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur kryetarët e komunave në 18 komuna. Procesi i votimit pritet të zgjasë deri në mbrëmje, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha qendrat janë hapur me kohë dhe pa parregullsi të mëdha.

Në këtë raund të dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) hyn në garë si forca e parë, me kandidatë në gjashtë komuna, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në katër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me nga tre komuna secila.

Komunat ku zhvillohet balotazhi janë: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Garat më të forta janë ato për Prishtinën dhe Prizrenin. Në kryeqytet, përballja është mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (LVV), ndërsa në Prizren gara zhvillohet mes Shaqir Totajt (PDK) dhe Artan Abrashit (LVV), me PDK-në që pritet të mbështetet nga LDK në bazë të një marrëveshjeje.

Në komuna të tjera, përballjet janë:

  • Pejë – Gazmend Muhaxheri (LDK) vs Taulant Kelmendi (LVV)
  • Junik – Ruzhdi Shehu (LDK) vs Agron Kuçi (AAK)
  • Dragash – Bexhet Xheladini (LDK) vs Shaban Shabani (PDK)
  • Kaçanik – Sabedin Vishi (PDK) vs Jeton Raka (LVV)
  • Fushë-Kosovë – Valon Perëza (LVV) vs Besnik Osmani (LDK)
  • Mitrovicë e Jugut – Arian Tahiri (PDK) vs Faton Peci (LVV)
  • Rahovec – Smajl Latifi (AAK) vs Ali Dula (LVV)
  • Suharekë – Bali Muharremaj (AAK) vs Ardian Shala (LDK)
  • Gjilan – Alban Hyseni (LVV) vs Arbër Ismajli (LDK)
  • Vushtrri – Ferit Idrizi (PDK) vs Sylejman Meholli (LVV)
  • Obiliq – Xhafer Gashi (LDK) vs Halil Thaçi (LVV)
  • Klinë – Zenun Elezaj (AAK) vs Sokol Bashota (PDK)
  • Kllokot – Bozhidar Dejanoviq (Lista Serbe) vs Sreqko Spasiq (Uniteti Kombëtar Serb)

Procesi zhvillohet në atmosferë të qetë dhe pritet që rezultatet paraprake të shpallen në mbrëmje.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka ushtruar të drejtën e votës në Prishtinë, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në proces.
“Fletëvotimi është i thjeshtë, me dy emra, dhe njëri prej tyre do të bëhet kryetar në mbrëmje. Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë,” – tha Kurti pas votimit.

Related Articles

Back to top button