LokalXLajme

PLD kërkon që t’u ndalohet kandidimi kryetarëve të përkohshëm në komunat ku dështuan zgjedhjet

Partia Liberal-Demokratike (LDP) ka paralajmëruar se do të propozojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, me qëllim që kryetarët e përkohshëm të komunave, të cilët do të caktohen nga Qeveria pas dështimit të zgjedhjeve lokale për mungesë cenzusi, të mos kenë të drejtë të kandidojnë në zgjedhjet e përsëritura.

Sipas PLD-së, ndryshimet do të vlejnë për komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, ku raundi i dytë i zgjedhjeve lokale dështoi për shkak të daljes së ulët të qytetarëve në votime.

“Personat që do të caktohen nga Qeveria për t’i udhëhequr përkohësisht këto komuna deri në organizimin e zgjedhjeve të reja nuk duhet të kenë të drejtë kandidimi, sepse kjo do t’u siguronte atyre një avantazh të padrejtë ndaj kandidatëve të tjerë”, thuhet në reagimin e PLD-së.

Partia thekson se me këtë propozim synon të shmangë keqpërdorimet dhe ndikimet politike gjatë periudhës kalimtare dhe të sigurojë kushte të barabarta për një garë të ndershme.

Kjo nismë vjen pas pranimit të një tjetër propozimi të PLD-së për rikthimin e referendumit qytetar për shkarkimin e kryetarëve të komunave, i cili tashmë është në procedurë parlamentare. Sipas partisë, këto masa do të ndihmojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në pushtetin lokal dhe do të pengojnë mbrojtjen e funksionarëve jopërgjegjës.

Related Articles

Back to top button