
Katër ditë pas publikimit të fotos në rrjetet sociale, ku disa pjesëtarë të policisë së Maqedonisë së Veriut shihen me mbishkrimin “Kosova është zemra e Serbisë”, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete ndaj tyre.
Sipas informacioneve të PortaliX, Kontrolli i Brendshëm i MPB-së tashmë i ka identifikuar katër pjesëtarët maqedonas të policisë të përfshirë në rast dhe ka nisur procedurën teknike për masë disiplinore, por deri më sot nuk ka asnjë lëvizje për pezullim apo ndonjë masë tjetër konkret siç është bërë në raste të tjera të ngjashme.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme për PortaliX kanë thënë se:
“Sektori për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së po ndërmerr masa dhe aktivitete përkatëse lidhur me rastin konkret, pas së cilës opinioni publik do të njoftohet në mënyrë të duhur.”
Rasti u bë publik pas denoncimit të gazetarit Furkan Saliu dhe të PortalitX, të cilët publikuan fotografinë dhe kërkuan përgjegjësi institucionale për sjelljen e nëpunësve policorë që përfaqësojnë shtetin e Maqedonisë së Veriut që ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe kultivon lidhje të forta me shtetin fqinj.
Ndërkohë edhe Ambasada e Kosovës në Shkup ka kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë dënim të këtij akti, të cilin e cilësoi si provokim dhe si gjuhë që bie ndesh me marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve.



