Mickoski pas raportit të KE-së: Edhe nëse bëjmë ndryshimet kushtetuese, do të marrim veto të re

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka komentuar raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për vitin 2025, duke u shprehur se raporti është “i mirë në tërësi”, por me disa vërejtje të pritura. Ai tha se ndryshimet kushtetuese nuk janë zgjidhja magjike për hapjen e negociatave, pasi, sipas tij, “edhe nëse bëhen, vendi do të përballet me veto të reja”.
“Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese, do të marrim një veto të re. Ne jemi shumë përpara Shqipërisë. Nëse i bëjmë ndryshimet, do të jemi më të mirët, kampionë. Dhe pastaj – veto e re, probleme të reja,” tha Mickoski me ironi, duke theksuar se vendi tashmë është më i përgatitur se disa fqinjë të rajonit.
Sipas kryeministrit, raporti i KE-së është pozitiv në shumicën e fushave, me disa ngecje në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai tha se qeveria do të fokusohet seriozisht në reformimin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë, të cilat i cilësoi si fusha kyçe për rikthimin e besimit publik.
“Ka ngecje në disa fusha – e dimë të gjithë: sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Do të angazhohemi seriozisht për reforma në drejtësi pas zgjedhjeve. Në të gjitha fushat e tjera ka përparim të vogël ose të rëndësishëm, prandaj raportin mund ta vlerësoj si të mirë,” deklaroi Mickoski gjatë vizitës në komunën e Petrovecit.
Mickoski nuk pajtohet me vlerësimet se vendi ka mbetur prapa vendeve të tjera të rajonit. Ai pretendon se Maqedonia e Veriut është më përpara se Shqipëria në të paktën tetë fusha, edhe pse disa zyrtarë të BE-së thonë të kundërtën.
“Nëse bëjmë një analizë objektive, Mali i Zi është i pari, në vend të dytë jemi ne dhe Serbia, pastaj Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Ne do të punojmë më shumë, sepse kjo është një qeveri reformiste,” tha ai.
Kryeministri shtoi se është i inkurajuar nga vlerësimet e KE-së për ekonominë, luftën kundër pastrimit të parave dhe përmirësimet në dogana, roaming dhe sistemet e pagesave.
Çfarë thotë raporti i KE-së
Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 për Maqedoninë e Veriut thekson se vendi nuk ka ndërmarrë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që burojnë nga konkluzionet e Këshillit të BE-së të 18 korrikut 2022, të cilat kërkojnë përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës.
Po ashtu, raporti kritikon mungesën e progresit në luftën kundër korrupsionit, duke vënë në dukje se rastet e nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten, ndërsa Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) është përballur me krizë besueshmërie pas aktakuzës ndaj kryetares së tij.
Tragjedia e 16 marsit 2025 në Koçan, sipas raportit, ka ekspozuar mangësi serioze në zbatimin e masave antikorrupsion dhe në funksionimin e institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrje dhe ndëshkim.
KE kërkon nga Maqedonia e Veriut miratimin e Kodit të ri Penal, forcimin e strategjive kundër korrupsionit dhe sigurimin e burimeve të nevojshme për institucionet kyçe.
Raporti konstaton se vendi ka mbetur vetëm pjesërisht i përgatitur në fushën e sundimit të ligjit dhe paralajmëron se reformat duhet të përshpejtohen në mënyrë që Maqedonia të ruajë besueshmërinë në procesin e integrimit evropian.



