
Kryetari i ri i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se sonte rreth 40 kamionë do të dalin në terren për pastrimin e mbeturinave në kryeqytet, ndërsa gjatë ditëve në vijim pritet që rreth 60 autobusë të kthehen sërish në qarkullim në rrugët e Shkupit.
Gjorgjievski tha se ka kontaktuar me një pjesë të punonjësve të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, ku gjendja është alarmante dhe aktualisht në shërbim të qytetarëve ishin vetëm 16 kamionë.
“Bëmë përpjekje dhe mendoj se sonte rreth 40 kamionë do të vihen në funksion. Në të njëjtën drejtim, tashmë po bisedojmë me disa nga shërbimet profesionale të JSP Shkup, përveç drejtorit dhe udhëheqësisë, të cilët në periudhën e kaluar treguan mungesë totale kapaciteti, madje destruktiv për ndërmarrjen dhe publikun. Do të ndërmerren hapa urgjentë për të përshtatur të gjithë autobusët që qëndrojnë të prishur prej muajsh. Nesër do të kem takim me të gjithë transportuesit privatë dhe rreth 60 autobusë do të kthehen në qarkullim. Kjo do ta normalizojë menjëherë transportin publik, që të mos lejojmë – me ardhjen e dimrit – studentët, nxënësit dhe qytetarët e moshuar të vuajnë si më parë,” – deklaroi Gjorgjievski pas marrjes së mandatit si kryetar.
Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se do të ndërmerret një auditim i shpejtë në funksionimin e ndërmarrjeve publike të qytetit. “Do të ketë auditim për gjendjen në ndërmarrjet publike të qytetit, kjo është normale në këto procese. Do të pasojë edhe përgjegjësi për çdo person që ka abuzuar – këtu nuk do të ketë dilema,” shtoi ai.
Kryetari i ri paralajmëroi edhe takime me kundërkandidatët e tij në zgjedhjet lokale. “Do të shfrytëzoj edhe idetë e kundërkandidatëve të mi, ditëve në vijim do t’i ftoj për t’u takuar. Ata kishin ide të mira, pse të mos përdoren? Edhe idetë e qytetarëve do të merren parasysh – çdo gjë që përmirëson qoftë edhe për një milimetër jetesën në qytet do të shfrytëzohet,” tha Gjorgjievski.
Një nga veprimet e para pas marrjes së detyrës, tha Gjorgjievski, do të jetë heqja e rampave që ndodhen para hyrjes në ndërtesën e Qytetit të Shkupit. “Pas marrjes së funksionit, hapi i parë do të jetë heqja e rampave para ndërtesës së Qytetit të Shkupit, që qyteti të jetë i hapur për të gjithë. Ky qytet nuk është i imi, as i disa individëve apo i një partie politike – është i popullit, dhe populli bashkë me mediat duhet të kenë qasje të plotë,” theksoi kryetari i ri i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gjorgjievski u shprehu mirënjohje qytetarëve për mbështetjen dhe premtoi se do të jetë kryetar i të gjithëve, pavarësisht përkatësisë fetare, etnike apo politike.



