Federata dënon “Pobeda”-n me 3.000 euro dhe katër ndeshje pa publik pas thirrjeve raciste dhe sulmit ndaj Shkëndisë së Haraçinës

Pas incidentit skandaloz që ndodhi në ndeshjen mes FC Pobeda-s së Prilepit dhe Shkëndisë së Haraçinës, ku lojtarët shqiptarë u ofenduan dhe u kërcënuan nga tifozët vendas, Federata e Futbollit të Maqedonisë ka shqiptuar dënime ndaj klubit vendas.
Sipas vendimit zyrtar, FC Pobeda AD dënohet me katër ndeshje pa publik në terrenin vendas dhe një gjobë prej 3.000 eurosh, për shkak të:
- thirrjeve fyese me bazë kombëtare,
- shfaqjes së pankartave me përmbajtje ofenduese,
- dhe dëmtimit të xhamit të dhomës së zhveshjes së ekipit mysafir, si dhe rrezikimit të sigurisë së futbollistëve të Shkëndisë së Haraçinës.
Ngjarja ndodhi gjatë ndeshjes Pobeda – Shkëndija Haraçinë, ku, siç raportoi më parë Portalix, lojtarët shqiptarë u ofenduan gjatë gjithë lojës dhe në fund u përballën me tentativë sulmi nga një grup tifozësh të tërbuar që ishte dokumentuar edhe nga videot të ndryshme.
Federata theksoi se do të ndëshkojë çdo formë diskriminimi, gjuhë urrejtjeje apo dhune në stadiume, ndërsa paralajmëroi se përsëritja e ngjarjeve të tilla do të sjellë masa edhe më të rënda disiplinore ndaj klubeve përgjegjëse.
Ky dënim shihet si një reagim i vonuar, por megjithatë një mundësi për të parandaluar dhe dekurajuar këtë sjellje në të ardhmen, pasi që prej kohësh në terrenet sportive në RMV po mbizotëron një klimë e tensionuar ndëretnike.



