
Kryeministri Hristijan Mickoski ndodhet sot në Bruksel ku merr pjesë në Samitin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, organizuar nga televizioni “Euronews”. Ngjarja sjell në një tryezë të përbashkët liderë të BE-së dhe të vendeve kandidate për anëtarësim, për të diskutuar drejtimin që do të marrë integrimi evropian në vitet e ardhshme.
Ky është një samit i veçantë, që për herë të parë transmetohet drejtpërdrejt, dhe ka për qëllim të hapë një debat publik për dilemat që ndodhen përpara Unionit: a do të zgjerohet BE-ja dhe do të ecë përpara me reforma të thella, apo do të mbetet peng i ngurrimit politik?
Sipas organizatorëve, lufta në kufijtë e Evropës dhe shtimi i aspiratave demokratike në rajonin fqinj e kanë shndërruar zgjerimin në një detyrim strategjik për Bashkimin Evropian.
Diskutimet në Samit pritet të përqendrohen në perspektivën e zgjerimit deri në vitin 2030 për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit Lindor, si dhe në ndikimin që një integrim më i thellë mund të ketë mbi demokracinë, ekonominë dhe pavarësinë strategjike të kontinentit.
Në program parashikohen edhe pyetje thelbësore: A është BE-ja gati për një familje më të madhe dhe më të ndryshme? dhe si mund të ruajë parimet dhe vlerat e saj themelore duke përmbushur premtimet ndaj vendeve kandidate?
Përveç kryeministrit Mickoski, në Samit marrin pjesë personalitete të larta evropiane si presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, presidentët e Moldavisë, Serbisë dhe Ukrainës – Maia Sandu, Aleksandar Vuçiq dhe Volodymyr Zelensky – si dhe kryeministrat Edi Rama dhe Milojko Spajiq nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Në panel do të jenë gjithashtu komisionerja për zgjerim Marta Kos, kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister dhe eurodeputeti Marc Botenga.



