
Izet Mexhiti ka marrë zyrtarisht sot detyrën si Kryetar i Komunës së Çairit, duke u rikthyer në krye të komunës që e cilëson si “vendin ku filloi gjithçka”. Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, Mexhiti shprehu mirënjohje për qytetarët që i dhanë mbështetje dhe paralajmëroi se ky mandat do të shënojë një kapitull të ri për Çairin.
“Sot pranova detyrën si Kryetar i Komunës së Çairit. Nga sot po rikthehem në vendin tim, mes njerëzve të mi, me nder, me përulësi dhe me mirënjohje të thellë. Po rikthehem aty ku filloi gjithçka”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se besimi i dhënë nga qytetarët përfaqëson përgjegjësi të madhe dhe se qeverisja e tij do të bazohet në punë të ndershme, rezultate konkrete dhe transparencë.
“Ky votim masiv ishte një deklaratë e qartë nga qytetarët e Çairit se duan vazhdimësi, duan zhvillim, duan punë. Dhe këtë do ta kenë,” tha ai, duke shtuar se “Çairi është pjesë e identitetit tim, historia ime personale dhe misioni im publik.”, ka thënë Mexhiti.
Në fjalimin e tij, Mexhiti paralajmëroi një periudhë të re për komunën, duke theksuar bashkëpunimin me qytetarët dhe ndërtimin e një modeli të ri qeverisjeje që do të shërbejë si shembull për gjithë vendin.



