LokalXLajme

Kos: Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë dhe të zbatojë ndryshimet kushtetuese

Maqedonia e Veriut është futur në grupin e vendeve kandidate që po tregojnë stagnim në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, gjatë prezantimit të raportit të fundit për progresin e vendeve kandidate para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), theksoi se vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të avancuar në negociatat e anëtarësimit dhe ka mbetur i bllokuar për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Ajo vlerësoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së (CFSP) dhe se ka vazhduar punën teknike në Klasterin 1, që përfshin sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe forcimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, shtoi Kos, gjatë një viti të tërë nuk është bërë asnjë hap i guximshëm përpara në procesin e integrimit.

“Maqedonia e Veriut ka mbetur plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe ka vazhduar punën teknike në udhërrëfyesit dhe planin e veprimit për Klasterin 1, por vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të avancuar në procesin e anëtarësimit gjatë vitit të kaluar.
Duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të Evropës të vitit 2022, për të vazhduar rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian,” deklaroi Marta Kos para eurodeputetëve në Bruksel.

Mungesa e progresit në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që parashikojnë përfshirjen e komunitetit bullgar në Preambulën e Kushtetutës, mbetet arsyeja kryesore pse vendi ende nuk ka hapur kapitujt e parë të negociatave. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka refuzuar ta bëjë këtë hap pa marrë garanci të qarta nga Brukseli se nuk do të ketë kushte apo veto të reja nga Bullgaria. Kjo situatë ka sjellë një bllokadë të plotë politike, që po e pengon vendin të ecë përpara në procesin e anëtarësimit.

Në raportin e saj, Marta Kos ndau vendet kandidate në tri kategori, duke e vendosur Maqedoninë e Veriut në grupin e dytë, bashkë me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, si vende që janë të harmonizuara me politikën e jashtme të BE-së, por që nuk kanë ndërmarrë reforma politike dhe institucionale vendimtare. Në grupin e parë, të vendeve me përparim të dukshëm, ajo përfshiu Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa në grupin e tretë, të regresit demokratik, Turqinë dhe Gjeorgjinë, për të cilat foli për “erodim të standardeve demokratike”.

Sipas raportit, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina janë 100% të harmonizuara me politikën e jashtme të BE-së, ndërsa Serbia vetëm 62%, çka tregon se përputhja formale nuk mjafton pa veprime politike të guximshme. Kos theksoi se, edhe pse Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit, “dritarja e mundësive për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të qëndrojë e hapur pafundësisht”.

Ajo njoftoi se Komisioni Evropian do të publikojë së shpejti një Strategji të re të Zgjerimit, që do të përfshijë reforma të brendshme brenda BE-së dhe mekanizma garancie për të parandaluar kthimin pas të vendeve anëtare pas integrimit. Po ashtu, Kos paralajmëroi tre strategji të reja tematike, ku do të përfshihen edhe vendet kandidate: për forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, për përfshirjen më të madhe të shoqërisë civile dhe për rritjen e qëndrueshmërisë së mediave ndaj dezinformatave.

Në këtë kontekst, mesazhi i saj për Shkupin ishte i qartë: Bashkimi Evropian pret veprime konkrete, jo vetëm përputhje formale. Maqedonia e Veriut ndodhet në një fazë stagnimi, e harmonizuar në dokumente dhe deklarata, por e bllokuar në vendimmarrje politike. Pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe pa guxim për reforma të thella, vendi rrezikon të mbetet prapa Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat po ecin më me ritëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Related Articles

Back to top button