
Komisioni Evropian ka dërguar një mesazh të qartë në raportin e fundit për përparimin e vendeve kandidate: Maqedonia e Veriut duhet të përshpejtojë reformat dhe të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të tjerëve që nuk janë shumicë.
Në dokument theksohet se ndonëse vendi ka ndërmarrë hapa në disa fusha, ndryshimet kushtetuese mbeten një detyrim i paplotësuar. Komisioni kujton se të gjitha marrëveshjet bilaterale – si ajo e Prespës me Greqinë dhe marrëveshja për miqësi e fqinjësi të mirë me Bullgarinë – duhet të zbatohen me vullnet të vërtetë politik nga të gjitha palët.
Raporti vlerëson përpjekjet e qeverisë në përmirësimin e sundimit të ligjit, reformimin e administratës dhe forcimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, në fushën e drejtësisë konstatohet vetëm “përparim i kufizuar”, ndërsa si prioritet urgjent përmendet forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit.
Si zhvillim pozitiv, Komisioni përmend harmonizimin e plotë të politikave të jashtme dhe të mbrojtjes me ato të Bashkimit Evropian, si dhe anëtarësimin e vendit në Konventën për Tranzit të Përbashkët, që pritet të lehtësojë qarkullimin e mallrave nëpër kufij.
Megjithatë, raporti sinjalizon ngecje në fushën e mediave. Pavarësisht aktivizimit të Këshillit për bashkëpunim midis qeverisë dhe shoqërisë civile, Maqedonia e Veriut ka shënuar më pak përparim në pluralizmin mediatik dhe lirinë e shprehjes.
Komisioni Evropian rikujton gjithashtu se vendi është përfshirë në grupin e atyre që do të përfitojnë fonde shtesë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si shpërblim për hapat e ndërmarrë në procesin reformues.



