
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it ka vlerësuar se rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut u zhvillua në mënyrë konkurruese dhe i dha votuesve mundësi zgjedhjeje midis alternativave të ndryshme, por jo të gjithë kandidatët patën kushte të barabarta për garë. Në raportin e parë të publikuar një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë evidentuar disa problematika të rëndësishme që lidhen me presione, boshllëqe ligjore dhe transparencën e fushatës.
Sipas OSBE/ODIHR-it, fushata elektorale në shumë komuna ishte konkurruese, por u ndikua fuqishëm nga ndarjet etnike dhe nga përfshirja e zyrtarëve të lartë shtetërorë në aktivitete partiake.
“Fushata në shumë komuna ishte konkurruese por ndarjet në baza etnike definuan disa nga garat. Përfshirja e përsëritur e zyrtarëve qeveritar në fushatë si dhe akuzat e vazhdueshme për presion ndaj nëpunësve të sektorit publik dhe votuesve dhe akuzat e shumta për blerje vote ishin shqetësuese,” thuhet në raport.
Sipas vëzhguesve, administrata zgjedhore menaxhoi përgatitjet në mënyrë efikase dhe transparente, megjithëse ligji mbetet i paqartë në disa procedura të rëndësishme që lidhen me rrethin e dytë.
“Administrata zgjedhore menaxhoi përgatitjet në mënyrë efikase dhe transparente pavarësisht që aspekte të rëndësishme procedurale të rrethit të dytë nuk janë rregulluar shumë qartë në ligj. Ajo vazhdoj të ketë besimin e shumë aktorëve të rëndësishëm,” thekson raporti.
Në vlerësimin e misionit, menaxhimi i ankesave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pas raundit të parë ngriti dyshime mbi procesin dhe të drejtën e ankesës si mjet juridik efektiv. Po ashtu, vëzhguesit theksuan se joharmonizimet dhe boshllëqet ligjore mbeten problem serioz që ndikojnë në qasjen në media dhe në sistemin për zgjidhjen e kontesteve zgjedhore.
Një nga aspektet më të theksuara në raport është mungesa e transparencës financiare.
“Raportimi i limituar i financimit të fushatës dhe mungesa e veprimeve mbikëqyrëse dëmtojnë transparencën dhe besimin e publikut dhe ulin llogaridhënien gjatë procesit zgjedhor, që është e kundërta e praktikave të mira ndërkombëtare,” deklaroi Mateo Mekaçi, shef i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it.
Në përfundim, misioni thekson se pavarësisht disa aspekteve pozitive, presionet ndaj votuesve, pabarazia e kandidatëve në fushatë dhe boshllëqet ligjore mbeten shqetësime serioze që duhet adresuar për të garantuar standarde më të larta demokratike në zgjedhjet e ardhshme.



