LokalXLajme

KSHZ shpall rezultatet e para zyrtare, partitë kanë afat deri të mërkurën për ankesa

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka publikuar sot pasdite rezultatet e para zyrtare nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Sipas të dhënave të prezantuara nga kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve, megjithëse më të ulët se në raundin e parë.

Në këtë fazë të votimeve, në listën zgjedhore ishin të regjistruar 1.013.357 votues, ndërsa të drejtën e votës e ushtruan 424.923 qytetarë, që përbëjnë 41,93 për qind të pjesëmarrjes. Numri i fletëvotimeve të vlefshme ishte 404.464, ndërsa 23.930 u shpallën të pavlefshme.

Në garën për kryetar të Qytetit të Shkupit, që përfshiu dhjetë komunat urbane të kryeqytetit, kanë marrë pjesë 474.304 votues. Në territorin e ngushtë të Shkupit kanë votuar 167.575 persona, prej të cilëve 157.047 fletëvotime janë shpallur të vlefshme, ndërsa 10.528 të pavlefshme.

Rezultatet paraprake tregojnë se kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Orce Gjorgjievski, ka fituar 95.572 vota, që përbëjnë 50,03 për qind, ndërsa rivali i tij nga Levica, Amar Mecinoviq, ka marrë 61.475 vota, ose 36,69 për qind të totalit të votave të vlefshme.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, njoftoi se menjëherë pas publikimit të rezultateve fillestare fillon edhe periudha për paraqitjen e ankesave nga partitë politike dhe kandidatët që marrin pjesë në garë.
“Nga sot, nga ora 16:30, në 48 orët e ardhshme, deri të mërkurën në orën 16:30, fillojnë afatet për ankesat e mundshme bazuar në rezultatet fillestare të shpallura zyrtare, si dhe për zbatimin e procedurës për përcaktimin e rezultateve të votimit. Ankesat dorëzohen drejtpërdrejt në KSHZ, ndërsa dorëzimi elektronik nuk lejohet,” deklaroi Kondarko.

Nëse në ndonjë komunë nuk paraqiten ankesa brenda afatit, rezultatet përfundimtare për ato njësi do të publikohen të enjten, pas përfundimit të afatit ligjor për kontestime. Por, në rast se ka ankesa, KSHZ do të ketë 72 orë kohë për t’i shqyrtuar ato, pas së cilës palët kanë të drejtë brenda 24 orëve të paraqesin ankesë në Gjykatën Administrative.
Sipas ligjit, Gjykata Administrative ka 48 orë afat për të vendosur, prandaj, siç theksoi Kondarko, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale pritet të shpallen të hënën ose më së voni të martën e ardhshme.

KSHZ theksoi gjithashtu se afatet për parashtrimin e ankesave që lidhen me procedurën e votimit kanë filluar që të dielën mbrëma në orën 19:00, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit. Rezultatet përfundimtare, sipas njoftimit, do të publikohen në një seancë publike të Komisionit, ku do të mund të marrin pjesë përfaqësues të mediave, partive politike dhe organizatave vëzhguese.

Me publikimin e rezultateve fillestare dhe hapjen e afateve ligjore për ankesat, procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut hyn në fazën e fundit të verifikimit ligjor. KSHZ ka paralajmëruar se do të sigurojë transparencë të plotë në çdo hap të mbetur të procedurës, derisa të zyrtarizohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale 2025.

Related Articles

Back to top button