
Vazhdojnë incidentet me karrakter etnik në terrenet sportive të Maqedonisë së Veriut. Kësaj radhe në shënjestër ishin lojtarët e ekipit futbollistik “Shkëndija” e Haraçinës, të cilët u fyen gjatë gjithë lojës së zhvilluar në Prilep dhe në fund për pak u shmang rrahja e tyre nga tifozët e tërbuar kundërshtarë.
Në pamjet e regjistruara nga PortaliX dëgjohen vazhdimisht sharjet ndaj lojtarëve shqiptarë, si dhe në fund tentimi i disa tifozëve që thyen xhamat e zhveshtores për të hyrë dhe sulmuar ekipin e “Shkëndijës” pasi kishin fituar lojën.
Nga ekipi i Shkëndisë kërkuan reagim dhe ndëshkim të autorëve të thirrjeve raciste dhe sulmuesve.
“Skenat që u panë sot në stadiumin e Prilepit nuk i ngjajnë aspak futbollit dhe frymës sportive që ky sport duhet të përfaqësojë. Ajo çfarë ndodhi në tribuna dhe rreth fushës nuk janë pamje që duhet të shfaqen në një ndeshje futbolli. Fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e shëmtuara nuk e ndihmojnë sportin – përkundrazi, ato e dëmtojnë imazhin e futbollit, klubit dhe vetë garës. Si klub, ne i dënojmë ashpër këto veprime të turpshme që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve tanë.
Ne kërkojmë nga Federata të ndërmarrë masat e duhura dhe të japë dënimet e merituara për organizatorët e kësaj ndeshjeje, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Futbolli është lojë që bashkon – jo që ndan”, shkruan në faqen zyrtare të Shkëndisë së Haraçinës.
Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë për PortalinX thanë se po e hetojnë rastin dhe se së shpejti do të njoftohen masat e marra që paralajmërojnë se do të jenë të rrepta pasi gjuha e urrejtjes dhe sulmet fizike në terrene sportive nuk tolerohen.
Ky nuk është sulmi i parë i tifozëve të Pobedës së Prilepit ndaj lojarëve të Shkëndisë së Haraçinës. Edhe në vitin 2022 policia kishte regjistruar incident të tillë ku tifozët kishin tentuar ti rrihnin pjesëtarët e këtij klubi shqiptar.
Shkëndija e Haraçinës luajti sot kundër ekipit “Pobeda” në Prilep si mysafir, në kuadër të javës së 10-të të Ligës së Dytë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Rezultati ishte 1-0 në favor të Shkëndijës. Pas kësaj fitoreje, “Shkëndija” e Haraçinës u ngjit në krye të tabelës së ligës së dytë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.



