Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano është ndarë sot nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.
Fatos Nano u lind më 16 shtator 1952 në Tiranë, në një familje të lidhur me artin dhe kulturën. Ai përfundoi studimet për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës dhe më vonë ndoqi specializime jashtë vendit, përfshirë Vjenën, ku ishte studiues pranë Institutit të Studimeve Ekonomike të vendeve të Lindjes.
Ai mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë në vitin 1983, më pas “Profesor Doktor” dhe dy tituj “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos dhe Universiteti i Barit në vitin 2000.
Në vitet ’80, Nano punoi në institucione ekonomike shtetërore dhe ishte ndër të paktët intelektualë që fliste për hapjen graduale të ekonomisë shqiptare. Në vitin 1990 u emërua Kryeministër nga Ramiz Alia, një pozicion që do t’i shërbente si trampolinë politike për fazën e re të jetës së tij.
Në qershor 1991, gjatë Kongresit të 10-të të Partisë së Punës, partia u rilind si Partia Socialiste e Shqipërisë, me Fatos Nanon kryetar të parë. Ai e orientoi PS-në drejt një modeli socialdemokrat perëndimor, duke përfshirë intelektualë të rinj dhe duke e integruar partinë në Internacionalen Socialiste.
Në vitin 1993, Nano u arrestua nga qeveria e Sali Berishës për akuza politike dhe qëndroi në burg rreth katër vjet, duke udhëhequr partinë nga qelia dhe duke e përgatitur PS-në për rikthim në pushtet.
Pas krizës së vitit 1997 dhe rënies së skemave piramidale, tre muaj pasi kishte dalë nga burgu, Nano udhëhoqi socialistët drejt rikthimit në pushtet duke mbajtur për 8 vite.
Ai ka shërbyer pesë herë si kryeministër (25 korrik 1997 – 23 prill 1998; 25 korrik 1997 – 23 prill 1998; 25 korrik 1997 – 23 prill 1998; 25 korrik 1997 – 23 prill 1998; 25 korrik 1997 – 23 prill 1998) dhe për 14 vjet e 1 muaj si kryetar i Partisë Socialiste, përfshirë vitet e burgut kur socialistët vendosën ta mbajnë kryetar.
Në vitin 2023, Kryeministri Edi Rama i akordoi Fatos Nanos “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik, si dhe për reformimin dhe modernizimin e Partisë Socialiste.
Nano njihet si themeltari i së majtës moderne në Shqipëri, i cili nuk fshehu të kaluarën e partisë, por e menaxhoi dhe transformoi atë drejt vlerave europiane dhe standardeve demokratike.
Ai është i martuar me Xhoana Nanon, një sipërmarrëse e njohur shqiptare. Është babai i dy fëmijëve të rritur nga martesa e tij e parë me Rexhina Nanon, me të cilën u divorcua në vitin 2002 pas 25 vitesh martesë.



