LokalXLajme

Avokati i Popullit me linjë telefonike falas për paraqitje të shkeljeve të së drejtës zgjedhore më 2 nëntor

Në zyrën e Avokatit të Popullit gjatë ditës së mbajtjes së rrethit të dytë të Zgjedhjeve lokale, më 2 nëntor nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 19:00, do të funksionojë linja telefonike falas: 0800-54321, ku qytetarët mund të raportojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre të votimit.

Siç kumtojnë nga Zyra e Avokatit të Popullit, të hapura për qytetarët (përveç zyrës kryesore në Shkup) do të jenë edhe zyrat rajonale të Avokatit të Popullit në Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Shtip, Strumicë dhe Tetovë me qëllim që t’i ndihmojë ata të ushtrojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre të votimit.

“Përveç linjës falas, qytetarët për të mbrojtur të drejtat e tyre mund të telefonojnë edhe në numrat e mëposhtëm të telefonit: Tetovë: 044 344-082, Kërçovë: 045 228-586, Manastir: 047 242-310 dhe Kumanovë: 031 431-488, Strumicë 034 329 -996 dhe Shtip: 032 389-701, qëndron në kumtesën e Avokatit të Popullit. 

Prej atje shtojnë se Avokati i Popullit, të drejtat e qytetarëve do t’i mbrojë me ndërmarrjen e masave urgjente me veprim efektiv nga ana e organeve kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera që janë të detyruara të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre të garantuara.

Edhe në këtë rast, Avokati i Popullit thekson se e drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë si e barabartë, universale dhe e drejtpërdrejtë dhe ushtrohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë dhe se askush nuk mund të mbahet përgjegjës për ushtrimin e kësaj të drejte, prandaj nuk është rastësi që shkelja e lirisë së zgjedhjes së votuesve, si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votës, janë vepra të dënueshme.  Gjithashtu Avokati i Popullit u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara në procesin zgjedhor të respektojnë protokollet shëndetësore të përcaktuara për mënyrën e votimit”, theksohet në kumtesën e Avokatit të Popullit. 

Related Articles

Back to top button