Botë

Trump dhe Xi arrijnë marrëveshje tregtare, ulen tensionet SHBA-Kinë

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping kanë rënë dakord të ndalojnë përshkallëzimin e luftës tregtare ndërmjet dy vendeve, duke arritur një armëpushim njëvjeçar gjatë takimit të tyre në Busan, Korenë e Jugut, në kuadër të samitit të APEC-ut. Kjo është hera e parë që të dy udhëheqësit takohen që nga viti 2019.

Sipas marrëveshjes, Kina do të pezullojë vendosjen e kontrolleve të eksportit për mineralet e rralla, ndërsa SHBA do të heqë dorë nga plani për vendosjen e një tarife 100 % ndaj mallrave kineze. Trump gjithashtu njoftoi se do ta përgjysmojë nga 20 % në 10 % tarifën e lidhur me importet që lidhen me fentanilin, pasi Xi u zotua se do të “punojë shumë” për të frenuar rrjedhën e kësaj opioidi sintetike drejt SHBA-së.

Trump e përshkroi takimin dyorësh me Xi si “të mahnitshëm” dhe theksoi se çështja e mineraleve të rralla është “zgjidhur”, duke shtuar se marrëveshja do të rinegociohet çdo vit. Xi, nga ana e tij, tha se të dyja palët kanë arritur “konsensus për zgjidhjen e problemeve” dhe se duhet të ndjekin “veprime konkrete për ta siguruar ekonominë globale”.

Ministria kineze e Tregtisë konfirmoi pezullimin njëvjeçar të kontrolleve të eksportit dhe njoftoi se SHBA do të pezullojë planet për kufizime teknologjike ndaj degëve kineze, ndërsa të dy vendet do të ndalojnë tarifat e ndërsjella për portet. Megjithatë, shumica e barrierave tregtare ekzistuese mbeten në fuqi, dhe ekspertët e vlerësojnë marrëveshjen si një “pauzë të pjesshme” në luftën tregtare.

Ekonomistët vlerësojnë se marrëveshja do të stabilizojë përkohësisht marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe do të ulë rrezikun për ekonominë botërore, por theksojnë se shumë çështje themelore, si teknologjia dhe zinxhirët e furnizimit, mbeten ende të pazgjidhura.

Related Articles

Back to top button