
Uragani Melisa dje e goditi Xhamajkën, duke shkaktuar shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të cilat i goditën qytetet, shkatërruan shtëpi dhe e ndërprenë rrymën në më shumë se gjysmë milionë amvisëri, duke e nxitur qeverinë që ta shpallë ishullin si zonë të katastrofës.
Kryeministri Endru Hollnes deklaroi për Si-En-En se edhe pse ende nuk ka informacione të sigurta për viktimat, autoritetet besojnë se njerëzit sipas gjitha gjasave i humbën jetët e tyre duke pasur parasysh vëllimin e shkatërrimit.
Qeveria e Hollnesit paraprakisht e shpalli ishullin e Karaibeve ishull të zonës së katastrofës, duke thënë se “këto urdhra i japin qeverisë mjete që të vazhdojë të menaxhojë me përgjigjen tonë për uraganin Melisa”.
Uragani nga kategoria 5 – klasifikimi më i fuqishëm – mbërriti në Xhamajka dje, duke sjellë, stuhi, vërshime të papritura dhe erëra deri 295 kilometra në orë.
Sipas Qendrës Kombëtare për Uragane të SHBA-së (NHC), Melisa momentalisht lëviz drejt bregut juglindor të Kubës si stuhi nga kategoria 4, duke sjellë shpejtësi të erës deri 215 km/orë.
Kuba evakuoi mbi 700.000 njerëz.
Autoritetet kubaneze njoftuan se evakuuan më shumë se 735.000 njerëz para mbërritjes së Melisës. “Do të jetë natë shumë e vështirë për gjithë Kubën”, paralajmëroi presidenti Migel Dijaz – Kanel, duke e quajtur një nga stuhitë më të fuqishme e cila ndonjëherë e ka kërcënuar ishullin.
NHC paralajmëroi për vërshime të rrezikshme për jetë dhe rrëshqitje potenciale të dheut të shkaktuara nga shiu i rrëmbyeshëm, erërat dhe valë të cilat mbërrijnë deri në katër metra në disa zona. Sonte, pritet që Melisa të lëvizë drejt Bahameve.
Në Xhamajka, ishin regjistruar dëme të mëdha në pjesën jugperëndimore, veçanërisht në famullinë Sent Elizabeta, për të cilën personat zyrtarë thanë se është “nën ujë”. Rrugët e përmbytura, drunjtë e rrëzuar dhe largpërçuesit e rënë lënë disa pjesë të rajonit të shkëputura. Spitalet, shkollat dhe urat, gjithashtu pësuan dëme të mëdha.
“Kjo është një nga përvojat më të këqija me të cilat jemi përballur ndonjëherë”, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Dezmond Mekenzi. Afro 15.000 njerëz kërkuan strehim në strehët për raste urgjente, përderisa ushtarët dhe rezervistët iu bashkëngjitën operacioneve shpëtuese.
Autoritetet deklaruan se vëllimi i plotë i shkatërrimit mbetet i paqartë, madje edhe disa orë pasi uragani mbërriti në tokë. Kombet e Bashkuara njoftuan se koordinojnë dërgesa detare me ndihmën e Barbadosit, ndërsa dërgesat ajrore do të vijojnë pasi do të përmirësohen kushtet e motit.
Meteorologët paralajmëruan se shirat e rrëmbyeshme dhe erërat e fuqishme do të mund të vazhdojnë me ditë të tëra edhe pasi Melisa do të largohet nga Xhamajka.
Klimatologët thonë se ngrohja globale i rrit gjasat për stuhi të fuqishme tropikale si Melisa. Sezoni i uraganeve në Atlantik zgjat nga 1 qershori deri më 30 nëntor.



