Botë

Trumpi: Asgjë nuk do të rrezikojë armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit

Presidenti amerikan Donald Trump sot deklaroi se “asgjë” nuk do të rrezikojë armëpushimin midis Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas në Gazë, pavarësisht dhunës së përtërirë në territor, njoftoi DPA.

Në bisedë me gazetarët në aeroplanin “Er fors uan” gjatë rrugës nga Japonia për në Korenë e Jugut, Trumpi tha se Izraeli ka të drejtë t’u përgjigjet sulmeve.

Hamasi “vrau ​​një ushtar izraelit”, tha Trump. “Pra, izraelitët u kundërpërgjigjën. Dhe duhet të kundërpërgjigjën”, tha presidenti amerikan.

“Ne bëmë një marrëveshje me ta (Hamasin) që të sillen mirë dhe ata duhet të sillen mirë. Nëse nuk sillen mirë, do të eliminohen”, shtoi Trump.

Komentet e tij erdhën një ditë pas përshkallëzimit të situatës në Gazë, ku Izraeli akuzoi Hamasin se sulmoi ushtarët e tij në jug të territorit, duke vrarë një ushtar të Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Ushtria izraelite tha se forcat e saj ajrore sulmuan disa objektiva të Hamasit si përgjigje.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor, incidentet vdekjeprurëse kanë vazhduar. Autoriteti shëndetësor në Gazë i udhëhequr nga Hamasi deklaroi para sulmeve të fundit të natës se janë vrarë më shumë se 90 palestinezë.

Rreth një javë më parë, dy ushtarë izraelitë u vranë në një sulm me raketa. Izraeli akuzoi gjithashtu Hamasin për vonesën e dorëzimit të trupave të pengjeve, kujton DPA.

Related Articles

Back to top button