
Të paktën 50 persona, përfshirë 22 fëmijë, u vranë mbrëmë në sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës, ndërsa një ushtar izraelit humbi jetën në përleshjet në territorin palestinez, raportuan mediat franceze.
“Të paktën 50 persona janë vrarë, përfshirë 22 fëmijë, në sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës që kanë zgjatur që nga mbrëmja e djeshme,” deklaroi zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmud Basal, duke shtuar se rreth 200 persona të tjerë janë plagosur.
Sulmet përbëjnë “shkelje të qartë dhe flagrante të marrëveshjes për armëpushim”, tha Basal, duke shtuar se situata në Rripin e Gazës është “katastrofike dhe e frikshme”.
Ushtria izraelite njoftoi se një prej ushtarëve të saj u vra dje në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori midis Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas.
Sipas raportimeve, ushtari 37-vjeçar u vra gjatë luftimeve në jug të Rripit të Gazës. Ushtria e akuzoi Hamasin për shkeljen e armëpushimit.



