RajonXLajme

Siria njeh pavarësinë e Kosovës – Osmani falënderon princin saudit dhe presidentin sirian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kjo njohje, sipas saj, është arritur falë ndërmjetësimit të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

Në një njoftim publik, Osmani ka shprehur mirënjohje për princin saudit dhe për presidentin sirian Al Sharaa, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Me mbështetjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, sot në Riad arritëm marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Arabe të Sirisë. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për këtë vendim dhe për mbështetjen e tij ndaj popullit tonë,” ka deklaruar Osmani.

Ajo ka theksuar se kjo njohje përfaqëson jo vetëm afirmimin e sovranitetit të Kosovës, por edhe vlerësimin për sakrificat që kanë bërë të dy popujt në rrugën drejt lirisë.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë kaluar periudha të vështira për të fituar lirinë. Kjo njohje është një dëshmi e respektit për sakrificën e shumë brezave që kanë luftuar për të jetuar të lirë,” ka shtuar ajo.

Sipas presidentes, me këtë zhvillim, numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ka arritur në 120.

“Republika jonë po ecën përpara dhe asgjë nuk mund ta ndalë,” ka përfunduar Osmani.

Related Articles

Back to top button