
Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka paraqitur aktakuzë kundër një të dyshuari nga Negotina për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme sipas nenit 292 paragrafi 2 në lidhje me nenin 288 paragrafi 2, ndërsa për shkaktim rreziku të përgjithshëm sipas nenit 288 paragrafi 5 në lidhje me paragrafi 2, përgjegjësi kërkohet edhe nga personi juridik ku i akuzuari është pronari dhe drejtori.
Prokuroria ka zhvilluar hetime për një ngjarje të ndodhur më 21.07.2021, kur drejtori i akuzuar dhe personi juridik, gjatë kryerjes së punimeve në separimin e lumit Vardar, nuk kanë vepruar sipas rregulloreve dhe masave të mbrojtjes, duke shkelur Ligjin për marrëdhënie pune dhe Ligjin për siguri dhe shëndet në punë. Si pasojë, një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime trupore.
Pa lidhur kontratë pune dhe pa verifikuar nëse i dëmtuari i plotësonte kushtet për punë, si dhe pa i siguruar kushte për kryerje të sigurt të detyrave, drejtori kishte angazhuar tani të ndjerin Petar Micev dhe i kishte lejuar të drejtonte një automjet të rëndë – kamion në vendin e separimit, pa kontrolluar nëse ai kishte leje të vlefshme drejtimi për atë lloj automjeti.
Më 21.07.2021, i dëmtuari me kamionin në pronësi të personit juridik po transportonte rërë nga lumi Vardar deri te separimi në vendin e quajtur “Pumpite”, ndërsa si pasagjer në kamion ishte edhe i dëmtuari tjetër. Duke kaluar nëpër një shteg të improvizuar, respektivisht një shtegu të ngushtë me zhavorr, nga të dyja anët i rrethuar nga rrjedha e lumit Vardar, në një moment kamioni është përmbysur dhe ka rënë në lum. Pasagjeri ka arritur të dalë nga dritarja e automjetit dhe të notojë deri në breg, duke pësuar lëndime trupore, ndërsa shoferi ka mbetur i bllokuar nën automjet dhe ka humbur jetën.
Gjatë hetimeve, prokurori publik ka siguruar prova edhe kundër një punonjësi të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi i RMV” – Dega Tikvesh-Kavadar, i cili, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës – operator i daljes kryesore dhe përfaqësues zyrtar i ndërmarrjes, ka qenë i pranishëm në vendin e separimit dhe me nënshkrimin e tij zyrtar ka vërtetuar disa dokumente me përmbajtje të rreme.
Për këtë arsye, i akuzuari ngarkohet se ka kryer vepër penale të vazhduar – Falsifikim i dokumentit zyrtar, sipas nenit 361 paragrafi 1 të Kodit Penal.



