LokalRajonXLajme

Katër trafikantë turq të drogës arrestohen në Kosovë pas denoncimit të shtetasit të RMV-së

Një operacion i gjerë i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) dhe Sektorit Qendror për Hetimin e Narkotikëve në Prishtinë ka çuar në arrestimin e katër shtetasve turq, të dyshuar për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, raporton gazeta Sinjali.

Raportohet se hetimet kanë nisur pas një denoncimi të bërë nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili kishte njoftuar Policinë e Kosovës se vëllai i tij ishte arrestuar në Turqi me mbi 100 kilogramë marihuanë. Ai kishte dhënë informacione të detajuara për kompaninë e transportit ku punonte i vëllai dhe për personat e dyshuar që mund të kishin lidhje me rastin. Në koordinim me policinë, denoncuesi kishte lënë një takim me pronarin e kompanisë transportuese që duhej ti jepte “sqarim” për situatën, ndërsa policia kishte qëndruar e gatshme për ta vënë në pranga.

Në bazë të të dhënave nga denoncuesi, policia kosovare identifikoi katër persona në moshë 19, 22, 30 dhe 44 vjeç, të gjithë shtetas të Turqisë.

“Pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria, policia bastisi dy banesa në rrugën “Hajrulla Zymi” në Fushë Kosovë. Në njërën prej tyre u gjetën dhe sekuestruan 1.482 gramë marihuanë, peshore elektronike, çanta dhe qese për paketim, pajisje elektronike për mbështjellje, një laptop, pesë telefona dhe një sef i vogël. Në banesën tjetër hetuesit gjetën dhe konfiskuan 590 euro para të gatshme, një laptop, tre telefona inteligjentë dhe dokumente të ndryshme. Gjithashtu u bastis edhe një depo-punëtori në rrugën “Fazli Grajçevci”, ku nuk u gjetën narkotikë, por u sekuestrua një automjet transportues “Fiat” i bardhë, që dyshohet se është përdorur për transportin e mallrave të dyshimta”, njofton policia e Kosovës.

Me urdhër të Prokurores kujdestare, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar lidhjet ndërkombëtare të këtij rrjeti të trafikut të drogës.

Related Articles

Back to top button