
Policia në Shkup ka ngritur kallëzim penal kundër ish-drejtorit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, zëvendësit të tij dhe disa punonjësve tjerë, pasi dyshohet se kanë abuzuar me detyrën dhe kanë përvetësuar para nga buxheti i shtetit.
Sipas hetimeve, ish-drejtori Z.A. për disa vite, nga 2017 deri më 2020, ka marrë më shumë para nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit se sa i takonin me ligj. Në vend që të merrte 20% dietë ditore, siç është e parashikuar me rregull, ai ka marrë 50%, edhe pse shpenzimet e hotelit dhe ushqimit i ka paguar institucioni.
Në këtë skemë, sipas policisë, është përfshirë edhe zëvendësi i tij F.M., i cili i ka nënshkruar vendimet për udhëtime, si dhe disa të tjerë që kanë përgatitur dhe miratuar dokumentet për pagesa, ndonëse e dinin që nuk ishin të ligjshme.
Në total, ish-drejtori ka përfituar 62.530 denarë në mënyrë të paligjshme – para që kanë dalë nga buxheti i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
Rasti tashmë është në duart e Prokurorisë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të parë nëse ka pasur edhe të tjerë të përfshirë në këtë abuzim.



