Botë

Kazermat ushtarake në Britaninë e Madhe do të përdoren për strehimin e azilkërkuesve

Ministria britanike e Brendshme ka konfirmuar se qindra azilkërkues do të zhvendosen përkohësisht në kazermat ushtarake, ndërsa qeveria përpiqet të reduktojë shfrytëzimin e hoteleve për azil, raportoi Skaj njuz.

Rreth 900 burra do të vendosen në kazermën Kameron në Invernes dhe në Kampin e trajnimit Krouboro në Saseksin Lindor.

Qeveria pret që zhvendosjet të fillojnë deri në fund të nëntorit.

“Jemi të zemëruar për shkallën e migrantëve të paligjshëm dhe hoteleve për azil. Kjo qeveri do t’i mbyllë të gjitha hotelet për azil. Po punohet me intensitet dhe po ofrohen vende më të përshtatshme për të ulur presionin mbi komunitetet dhe për të reduktuar shpenzimet për azil”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme

Përveç objekteve ushtarake, po shqyrtohen edhe lokacione industriale, objekte të përkohshme dhe banesa të braktisura, ndërsa zyrtarët po kërkojnë alternativa shtesë.

Planet u njoftuan për herë të parë nga ministri i Mbrojtjes muajin e kaluar.

Vendimi vjen pas incidentit me Hadush Kebatu, një azilkërkues që u lirua gabimisht nga burgu Çelmsford të premten e kaluar, ndërsa më pas u arrestua në Finsberi Park të dielën.

Kebatu u shpall fajtor në shtator për sulm seksual ndaj një vajze 14-vjeçare dhe një gruaje në Eping, vetëm një javë pasi kishte mbërritur në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël.

Ministri i Drejtësisë, Dejvid Lami, njoftoi një hetim të pavarur dhe deklaroi se incidenti ishte rezultat i një “gabimi njerëzor”.

Related Articles

Back to top button