
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), z. Muhamed Ali, vizitoi Qendrën Kujdestare Operative, ku u informua nga afër për situatën pas reshjeve të shiut në tërë territorin e vendit, njoftojnë nga QMK.
Sipas të dhënave nga terreni, gjendja është e qetë dhe deri tani nuk janë regjistruar përmbytje, përveç në rajonet e Gostivarit dhe Tetovës.
Në Gostivar, në rrugën “18 Nëntori”, janë bllokuar pesë pusetat që paraqesin rrezik potencial për përmbytje të disa shtëpive përreth. Ndërkohë, në Tetovë, në lagjen “Dardania”, janë regjistruar sasi më të mëdha të reshjeve.
Ekipet kompetente ndodhen në terren dhe po ndërmarrin masa për pastrimin e pusetave dhe normalizimin e gjendjes. QMK vazhdon të monitorojë nga afër situatën në gjithë territorin e vendit pas reshjeve të shiut, thonë nga QMK.



