LokalXLajme

Hetim për grabitjen në argjendari në Gostivar, arrestohen dy të dyshuar

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave të dyshuar se, si bashkëkryes, kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale – Grabitje, sipas nenit 237 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Të dyshuarit, më 10 tetor, së bashku me persona të tjerë ende të panjohur, kanë hyrë në një argjendari në Gostivar dhe, duke përdorur forcë dhe kërcënim me armë zjarri, kanë marrë 18 kilogramë ar.

Dy të dyshuarit janë zyrtarë policorë në Njësinë për Punë të Brendshme në Kërçovë, të cilët janë marrë vesh dhe kanë përgatitur planin për grabitjen bashkë me personat e tjerë për të cilët po ndërmerren veprime intensive për t’u gjetur.

Të dyshuarit kanë marrë pjesë në përgatitjet paraprake, duke bërë vëzhgime të lokacionit dhe të punës së argjendarisë dy ditë para grabitjes. Në ditën e ngjarjes, ata, me automjet zyrtar të MPB-së, kanë siguruar rrugën për dy automjetet e përdorura gjatë grabitjes në Gostivar, nga të cilat njëri është gjetur i djegur në rrugën magjistrale Gostivar–Dibër, ndërsa tjetri është gjetur i braktisur në Kërçovë, pranë tregut të bagëtive.

Prokurori publik ka dorëzuar deri te gjykatësi i procedurës paraprake kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit, me arsyetimin se ekziston rrezik arratisjeje, mundësi për pengim të procedurës përmes fshehjes së provave ose ndikimit ndaj dëshmitarëve, si dhe rrezik për përsëritje të veprës penale.

Related Articles

Back to top button