LokalXLajme

Zeqirija Ibrahimi: Shqiptarët e RMV-së nuk janë serbë të Gazimestanit!

Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndajdeklaratës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka përdorur metaforën “VLEN-i është shoqata e Gazimestanit”, deklaratë të cilën Ibrahimi e cilëson fyese dhe denigruese ndaj shqiptarëve.

Në reagimin e tij, Ibrahimi thekson se kjo metaforë nënkupton etiketimin e votuesve të koalicionit VLEN si “serbë të Kosovës”, duke theksuar se kjo është ofendim i rëndë, sidomos për gjeneratat e reja që ndoshta nuk e njohin konotacionin historik të kësaj shprehjeje.

“Ne, për të mirën e tij, ia kemi thënë se është koha të tërhiqet, por ai nuk kupton. Ia humbi zgjedhjet AKI-së duke quajtur shqiptarët ‘zagarë’, kurse tani edhe më rëndë – 100 e sa mijë shqiptarët që votuan për VLEN-in i quan ‘serbë të Gazimestanit’”, shkruan Ibrahimi.

Ai shton se ky diskurs i Ali Ahmetit nuk dëmton vetëm BDI-në, por edhe tërë opozitën shqiptare, ndërsa për koalicionin VLEN, vijon Ibrahimi, një Ali Ahmeti me këtë retorikë vetëm sa i ndihmon politikisht.

“Shqiptarët e RMV-së – ata që votuan për VLEN dhe ata që votuan për AKI – nuk janë dhe nuk mund të jenë ‘serbë të Gazimestanit’, por janë një komb krenar që të dielën shprehu pjekuri demokratike dhe ne e respektojmë vullnetin e tyre”, thekson Kryetari i Alternativës.

Në fund, Ibrahimi i drejtohet Ahmetit me një pyetje: “Nëse je fitues i zgjedhjeve, pse nuk dole të festosh dhe pse deri sot nuk u paraqite para mediave? Sa keq që ndërdija e tradhton njeriun! Nejse, ne kemi mirëkuptim për gjyshërit tanë.”

Ky reagim i ashpër i Kryetarit të Alternativës ka zgjuar debat të gjerë në opinion, duke hapur një tjetër front polemikash brenda kampit politik shqiptar në vend.

VLEN

Related Articles

Back to top button